Studentët kërkojnë liberalizim të vizave

Të enjten do të dalin në protestë

Mos heqja e vizave për qytetarët e Kosovës, si vendi i fundit që nuk e gëzon këtë të drejtë në rajon, ka shtyrë Parlamentin Studentor të Universitetit të Prishtinës që të organizojë sërish një protestë për datën 10 janar.

Në një konferencë për media, Arben Elshani kryetar i Parlamentit Studentor, tha se synojnë që marshit për liberalizimin e vizave të enjten duke filluar nga ora 12:00, t’i bashkëngjiten shumë qytetarë. “Do të mblidhemi këtu para Bibliotekës Kombëtare për të filluar marshimin tonë ku do të kërkojmë përmes këtij marshimi të drejtën tonë themelore që është liberalizimi i vizave. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të pritjeve të gjata që bëjnë qytetarët me muaj të tërë para ambasadave, të cilat kërkojnë qoftë për viza studentore, qoftë për këmbim përvojash për studime jashtë vendit, për të gjitha këto presin me muaj të tërë dhe ky maltretim, unë mendoj që qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë që të presin në këto radhë të gjata”, tha Elshani.

Ai porositi Bashkimin Evropian që të reflektojnë ndaj kërkesave të kosovarëve, e veçanërisht të studentëve për liberalizimin e vizave.

Ndërsa, Jehona Gashi kryetare e Këshillit studentor në Fakultetin e Filologjisë, tha se në marshin protestues për viza duhet të bashkohen të gjithë qytetarët. “Qëllimi jonë nuk është asimilimi, por është të njohim kultura e të fitojmë përvoja të ndryshme. Ne, për shembull, duam të kemi bashkëpunim me njerëz të artit që janë jashtë vendit tonë, apo politika, por jo të qëndrojmë të shtangur para ambasadave dhe në fund të marrim përgjigje negative. Kjo është shkelje e rinisë këtu në Kosovë, është shkelje për ata që thirren për drejtësi dhe barazi”, tha ajo.

Ndërkaq, Bekim Ibishi përfaqësues i Parlamentit Studentor, pati një porosi të veçantë për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës. “Ne krerëve shtetërorë ju kemi thënë, e falënderojmë deputetin Labinot Tahirin që është solidarizuar me popullin e vet. Po ashtu, i ftojmë të gjithë deputetët që e ndjejnë veten përfaqësues të popullit, e jo përfaqësues të interesit, të izolohen bashkë me neve, më 10 janar të vijnë e t’i dorëzojnë pasaportat e tyre dhe të tregojnë që me të vërtetë e donë rininë”, tha Ibishi.

Ai ka bërë të ditur se 70 për qind e të rinjve në Kosovë nuk kanë të ardhme, përfundojnë studimet duke mos ditur se çfarë i pret. Për këtë gjendje ai ka fajësuar të gjithë spektrin politik.

Studentët kishin protestuar edhe më 24 dhjetor me të njëjtën kërkesë.

Kosova ka arritur të marrë rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, ku më pastaj Parlamenti Evropian kishte aprovuar rekomandimin për vizat. Mirëpo, çështja e vizave nuk ka arritur të futet në agjendën e Këshillit të Ministrave të BE-së.

Pavarësisht përmbushjes së 95 kritereve të kërkuara nga ana e vendeve të Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe demarkacionin me Malin e Zi, komisionari evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, si datë kur potencialisht mund të hiqen vizat, ka dhënë vitin 2020.

Back to top button