Studentët kosovar ia shohin hairin bursave

Erasmus Plus programi i BE-së për edukim

Programi i Bashkimit Evropian për edukim, Erasmus Plus është hapur për Kosovë që nga viti 2014, ku studentët kosovar kanë mundësi të studiojnë një semestër në njerin nga Universitetet e Evropës me bursë të plotë, shkruan rtv21.tv

Përveç studentëve, stafi akademik dhe ai adminsitrativ nga vendi ka mundësi të trajnohet dhe ligjëroj në këto Universitete. Për të folur për këtë në emisionin Bon Bon në RTV21 ishin të ftuar koordinatori për projektet e Erasmus Plus, Ensar Bajrami dhe përfituesi i bursës, Kushtrim Kokllari.

Bajrami ka treguar se ky projekt ndahet në dy faza, atë për projekte të zhvillimit të kurikulave dhe trajnim të profesorëve, ndërsa e dyta për shkëmbim të stafit dhe studentëve.

“Kolegji Universum ka filluar që nga viti 2014 që të jetë pjesë e Erasmus Plus, ku kemi diku marrëveshje me njëzet e dy Universitete jashtë Kosovës. Universitet duke përfshirë shtetet si Gjermaninë, Poloninë, Turqi dhe vende të ndryshme të BE-së”, ka thënë Bajrami.

Ai ka treguar se gjatë këtij semestri, katër studentë janë duke vijuar studimet në Middle East Technical University në Turqi. Ndërsa gjatë këtyre dy vjetëve sa ka filluar programi, 24 studentë kanë pasur fatin të përfitojnë bursa.

Sipas tij, BE-ja po ndanë për një semestër nga 800 euro çdo muaj për këta student, duke përfshirë shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit që në vlerë totale llogarit mbi 5 mijë e 500 euro.

“E mira e kësaj është se studentët kanë mundësi me shëtit, me pa vende të ndryshme të Evropës, me takuar njerëz me të cilën mund të shkëmbejnë përvoja dhe përvojat që i fitojnë atje me u kthyer në Kosovë dhe me u bo pjesë e tregut. Diçka interesante që lexova këto ditë është se një pjesë e studentëve që shkojnë me Erasmus, një përqindje e vogël edhe janë martu”, ka shtuar Bajrami.

Ndërsa, Kokllari ka treguar se këtë vit ka fituar bursën për shkëmbim të stafit akademik me Middle East Technical University.

“Do ta kemi rastin që për një javë të mbajë një seri ligjërata në këtë universitet. Kjo është një mundësi jashtëzakonisht e mirë si për ne ashtu edhe për universitetin tjetër, që t’i shkëmbejmë përvojat tona dhe t’i krahasojmë modelet e ligjërimit dhe modelet se si t’i angazhojmë studentët në mënyrën më të mirë”, ka thënë Kokllari. Duke shtuar se nga gjithë këto përfitime duhet veçuar atë kulturor.

“Erasmus ka qenë një intelektual i rilindjes Evropiane, i cili që në atë kohë, vitet 1800 ka lëviz gjatë studimeve në 5 ose 6 vende Evropiane, nga Holanda”, ka përfunduar ai./21Media

Back to top button