U protestua para MASHT-it

U protestua para MASHT-it

Studentë të disa departamenteve të UP-së protesuan para objektit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit për mosndarjen e bursave për disa drejtime. Ata e konsiderojnë vendim diskriminues që nuk do të marrin bursa, edhe përkundër sukseseve të larta.

Në anën tjetër MASHT-i njoftoi se studentët e Fakultetit të Edukimit dhe të Arteve nuk do të mbështeten financiarisht nga MASHT-i. Ndërsa, u bë e ditur se për studentët e drejtimeve tjera që plotësojnë kriteret për bursa, do ta kenë shumën e njejtë, pra 880 euro.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka planifikuar që edhe këtë vit bursat që do t’iu ndahen studentëve të kenë shumën e bursave që janë ndarë edhe vitin e kaluar (880 euro). Mbështjetja e studentëve me bursa ka për qëllim përkrahjen e kuadrove deficitare, prandaj janë zgjedhur për mbështetje financiare vetëm fakultetet të cilat përgatisin kuadro deficitare. Fakulteti i Edukimit dhe ai i Arteve nuk konsiderohen më si deficitare, prandaj studentët e këtyre fakulteteve nuk do të mbështeten financiarisht nga MAShT.”, bëhet e ditur në njoftimin e MASHT-it.

Ndërsa, MASHT-i vendosi ta ulë kriterin e notës mesatare për studentët e Teknikut.

“Këtë vit, MAShT ka ulur kriterin e notës mesatare për studentët e Fakultetit Teknik, sepse perveç që ky fakultet përgatit kuadro që në tregun e punës ka mungese të theksuar, disa drejtime rrezikojnë të mbyllen për mungesë interesimi për të studiuar në keto drejtime. Me këtë rast, Ministria e Arsimit kërkon nga organizatat të cilat përfaqësojnë studentët, që të mos manipulojnë studentët në lidhje me këtë çështje.”, thuhet në njoftimin e MASHT-it.

Vendimin për ndarjen e bursave, MASHT-i e ka marrë më 24 tetor dhe si kriter i ka përfshirë vetëm studentët e fushave të studimit të Bujqësisë-Veterinarisë, FShMN-së, Mjekësi e përgjithshme, farmaci, stomatologji, teknik dhe shkenca të aplikuara. Konkursi është hapur me 28 tetor deri më 8 nëntor në ora 16:00.

Nesër është paraparë të mbahet protesta e studentëve të Fakultetit të Edukimit./21Media