Studentët përmes protestës kërkojnë depolitizimin e universiteteve publike

“Universitetet publike që nga paslufta kanë qenë pjesë e shfrytëzimit të politikanëve”

Me pankartat “Duam bursa”, “Duam bursa dinjitoze”, “E drejta jonë është detyrim për ju” studentë nga të gjitha universitetet publike kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, ku kanë kërkuar depolitizimin e arsimit.

Përmes një aksioni simbolik, ata kanë vendosur pranga në dyer të kësaj ministrie, përmes të cilave i kanë kërkuar ministrit Shyqiri Bytyqi, që të lirojë prangat e universiteteve publike.

Diar Statovci, nga Grupi i Pavarur i Studentëve të UP-së ka treguar simbolikën e prangave që i kanë vendosur në dyert e MASHT-it.“Në sot në aksion simbolik, ministrit Bytyqi i kemi sjellë një lloj prangash. Këto janë prangat e politikës që politika po i mban në universitete publike duke i punësuar njerëzit e tyre. Ne i themi ministrit: ‘Ministër, depolitizojë universitetet, liroja prangat  universitetit, sepse t’i e ke çelësin. Ne mund t’i evidentojmë parregullsitë që bëhen në universitet, mirëpo nuk kemi kompetenca ekzekutive për t’i shkarkuar ata njerëz. Kompetencat janë tuajat, t’i duhesh ta bësh këtë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, ai ka treguar edhe arsyet se pse kanë protestuar, po ashtu ka bërë të ditur se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen deri në fillim të semestrit veror mund të hyjnë në bojkot të përgjithshëm.“Universitetet publike që nga paslufta kanë qenë pjesë e shfrytëzimit të politikanëve ku kanë punësuar një numër të madh të njerëzve të vet. Me ardhjen e ministrit Bytyqi ne kemi shpresuar që depolitizimi do të ndodh, do të largohen njerëzit e politikës nga Universiteti. Mirëpo, ne vazhdimisht kemi gjetur fakte se politizimi i Universiteteve po vazhdon, si punësimi i militantëve të Nismës në Ministrinë e Arsimit, emërimi nëpër bordet udhëheqëse të Universitetet publike, zgjedhja e rektorit në mënyrë të jashtëligjshme në Universitetin e Prizrenit. Pastaj, mos funksionalizimi i Unionit të Studentëve në Universitetin e Prishtinës, mos ndërtimi i Fakultetit të Shkencave dhe rritja e buxhetit kanë qenë disa nga prej arsyeve që na kanë shtyrë që ne të protestojmë këtu”, ka thënë ai.

Kurse, kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Milot Krasniqi ka thënë se ky universitet është në gjendje shumë të keqe.“Universiteti “Ukshin Hoti” është në situatë shumë të keqe dhe e gjithë kjo për shkakun e keq menaxhimit të anëtarëve të këshillit drejtues të cilët i ka emëruar Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Arsimit. Andaj përmes kësaj shkrese kërkojmë nga ju që me urgjencë të merrni këto veprime në mënyrë që universiteti ynë t’i kthehet normalitetit. Kërkojmë shkarkimin e anëtarëve të këshillit drejtues të emëruar nga MASHT-i për shkak të dështimit të përmbushjes së obligimeve të tyre karshi Universitetit të Prizrenit, duke e shkelur ligjin mbi arsimin e lartë, statutin e Universitetit dhe të gjitha rregulloret tjera”, ka thënë ai.

Anëtarët e këshillit drejtues sipas tij, kanë keqpërdorur pozitën zyrtare duke i blerë vetës telefona të mençur me mjete të Universitet, ndërkohë që për kryetarin e Këshillit Drejtues ka thënë se ka tejkaluar limitin për karburant dhe dreka e darka zyrtare.

Ata i kanë bërë thirrje Auditorit që të shikojë për të gjitha këto keqpërdorime të cilat ata i kanë përmendur.

Back to top button