Studentët protestojnë në Tetovë

Kërkojnë reforma në Universitete

“Na shkoi jeta t’u u tut’” ishte një ndër dhjetëra parullat në protestat e sotme të studentëve në Tetovë. Studentja e arteve që po e mbante këtë parrullë, na tregoi se pse mendon kështu.

“E kam shkruar këtë sepse përderisa nuk është reaguar deri më sot, ka diçka, mendoj se është frika ajo që na shtyn të mos reagojmë dhe ta kërkojmë atë që vërtetë e meritojmë”. Çfarë i mungon fakultetit tënd?  “S’di nga t’ia filloj. Unë jam e fakultetit të arteve. Tek ne mungojnë kamerat dhe shumë të tjera që për ne janë elementare për të vazhduar studimet. Na mungojë librat, gjithçka, por sidomos librat shumë”, u shpreh studentja e arteve.

Me parulla dhe të brohoritura, studentët kërkuan përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe jetës universitare në vend.

“Na mungojnë kushtet. S’kemi kushte, s’kemi kondicionerë”, tha studenti i aktrimit.

“Shqetësime të  studentëve ka, siç e shihni edhe vetë. I detyrojnë të blejnë libra, pagesat e shumta që i bëjnë studentët. Ka aq kërkesa sa s’mund t’i numëroj. A ke dëgjuar për raste korrupsioni të kërkuar nga profesorë? Mua s’më ka ndodhur, por kam dëgjuar nga shoqëria ime”, u shpreh studentja e juridikut.

Ndalimi i shitjes së notave dhe blerja e librave me detyrim, janë disa ndër 15  kërkesat që studentët ia drejtojnë Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Tetovës, atij të Evropës Juglindore si dhe universitetit “Nënë Tereza”.

Studentët kërkojnë gjithashtu edhe ndalimin e nepotizmit në universitete,  largimin e profesorëve që brenda institucioneve arsimore kanë kryer vepra penale, rishikimin e titujve akademikë dhe verifikimin për plagjiaturë. Madje në kërkesat e tyre ata ankohen edhe për profesorë që kërkojnë favore seksuale.

“I kuptojmë dilemat dhe luhatjet e kuadrit arsimor dhe të rektorateve të universiteteve, për t’u përballur me të vërtetën  vonuar por të pa harruar. E kuptojmë ngurrimin dhe mos guximin e tyre për të dalë përpara nesh dhe t’i bashkohen ndershmërisht zërit të kërkesave tona”, tha studentja – protestuese.

Nga sheshi “Iliria” studentët marshuar drejt Universitetit të Tetovës për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Këtu e lanë të takohen sërish nesër në orën 10, për të mos u tërhequr nga kërkesa për reforma, heqjen ose zbritjen e disa pagesave, pjesëmarrje të studentëve në vendimmarrje dhe përmirësim të infrastrukturës në universitete./TV21

 

https://www.youtube.com/watch?v=GoTgpRtZscc

Back to top button