Ministrja tha se një në 4 qytetarë ka rezultuar me vlera të larta të glicemisë, pra që orienton për sëmundje të diabetit

Ministrja tha se një në 4 qytetarë ka rezultuar me vlera të larta të glicemisë, pra që orienton për sëmundje të diabetit

Të dhënat e 4 vjetëve tregojnë se një në 7 shqiptarë vuan nga hipertensioni që është edhe shkaku i sëmundjeve kardiovaskulare. Të dhënat e 4 vjetëve që nga nisja e chek -upit tregojnë se çdo muaj 40 mijë shqiptarë përfitojnë nga ky kontroll.

Një në shtatë qytetarë janë identifikuar me probleme të tensionit arterial, një prej shkaktarëve kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare.

Në Ditën Botërore të Hipertensionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik organizuan Forumin Shkencor “Kontrolli Mjekësor Bazë, në kuadër të mbulimit shëndetësor universal”, ku u prezantuan gjetjet pas 4 vitesh zbatim të programit kombëtar “Si je?” për grupmoshën 35-70 vjeç.

Gjatë fjalës së saj, ministrja e shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu nënvizoi se në 4 vite janë më shumë se 90 mijë qytetarë që janë referuar për vizita të specializuara, pas rezultateve që ka prodhuar kontrolli mjekësor bazë.

“1 në 4 qytetarë ka rezultuar me vlera të larta të glicemisë, pra që orienton për sëmundje të diabetit. 1 në 8 qytetarë ka rezultuar me anemi të lehtë, 1 në 4 qytetarë rezulton me vlera të larta të kolesterolit.”, tha ajo.

Sa i përket akuzave të opozitës që janë hedhur mbi check-up, ministrja tha se përgjigjen më të mirë ndaj tyre e kanë dhënë mbi 1 milion qytetarë që e kanë kryer kontrollin mjekësor.

“Akuza të pavërteta, të artikuluara nga goja e atyre që për qëllime politike kanë dashur të hedhin baltë mbi këtë program.”, shtoi ajo.

Rezultatet që kanë prodhuar të dhënat nga kontrolli mjekësor bazë tregojnë se kemi një riskë të lartë për sëmundjet kardiovaskulare si edhe diabetin që kanë si shkak kequshqyerjen dhe mungesën e aktivitetit fizik, raporton oranews.