Policia ka vrarë sulmuesin, rasti ndodhi në qendër të Londrës

Policia ka vrarë sulmuesin, rasti ndodhi në qendër të Londrës

Një incident në Urën e Londrës, në qendër të kryeqytetit britanik, ka lënë disa persona të lënduar, kurse dëshmitarët kanë deklaruar se kanë parë sulme me thikë dhe të shtëna. Rasti u cilësua si sulm terrorist.

Zyrtarë të Policisë së Londrës kanë bërë të ditur se ka qenë një person, i cili ka sulmuar njerëz me thikë dhe pas të shtënave të pjesëtarëve të policisë në drejtim të tij, ai është plagosur dhe nuk i ka mbijetuar plagëve.

Në një kumtesë tjetër thuhet se Policia është lajmëruar për një rast të therjes me thikë, në një ndërtesë në afërsi të Urës së Londrës, pak para orës 14:00 të kohës lokale, që i bie ora 15:00 sipas kohës sonë.

Një numër i policëve shumë shpejt ka mbërri në vendin e ngjarjes, e kanë ndalur një të dyshuar kurse gazetari i BBC-së John McManus, i cili ka qenë në vendin e ngjarjes ka thënë se pas ardhjes së policisë janë dëgjuar edhe të shtëna pasi policia ka shtënë në drejtim të sulmuesit të dyshuar, po ashtu dëshmitarë të tjerë të rastit kanë thënë se policia ka shtënë në të dyshuarin.

Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson ka reaguar për këtë rast në Twitter, duke shkruar se është duke u informuar vazhdimisht për zhvillimet dhe duke përgëzuar policinë dhe shërbimet e emergjencës për reagimin e tyre.

Rreth këtij rasti kanë reaguar edhe politikanët tjerë britanikë si dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, i cili ka thënë se është duke monitoruar situatën.

Sipas disa raporteve gjithsej janë pesë të lënduar, kurse Policia e Londrës ka bllokuar trafikun në Urën e Londrës dhe ka evakuuar njerëzit nga kjo urë./21Media