Sulmi seksual ndaj Mrika Nikqit, reagon kryetari i Pejës

(Live update)

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka reaguar pas raportimit të alpinistes Mrika Nikqi se është sulmuar seksualisht nga i dyshuari 25-vjeçar F. B.
“Dhuna nuk është çështje private, por është çështje sociale, është çështje politike. Por mbi të gjitha, është krim i dënueshëm, për të cilin kërkohet reagimi i secilit prej nesh”, thuhet në reagimin e Muhaxherit.
I pari i Pejës pati edhe disa fjalë për Mrika Nikqin.
“Mrika Nikqi, ti je sportistja e dalluar, krenaria e qytetit të Pejës dhe mbarë shqiptarisë!❤️”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Haxhiu pas sulmit seksual në Pejë: Kjo është e patolerueshme

“Ngacmuesit e dhunuesit po e vështirësojnë jetën e vajzave e grave gjithandej Kosovës dhe kjo është e patolerueshme”, kështu ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pas publikimit të videos ku u sulmua seksualisht alpinistja nga Peja, Mrika Nikqi.
Ajo tha se institucionet e drejtësisë duhet të shqiptojnë dënime maksimale për dhunuesit e ngacmuesit seksual.
“Për shkak të rritjes së rasteve të dhunës e ngacmimit seksual, para disa javëve kemi punuar në ndryshimin e Kodit Penal në drejtim të ashpërsimit të masave e dënimeve për dhunuesit dhe ngacmuesit. Të njëjtat, do t’i finalizojmë dhe procedojmë tutje javën e ardhshme dhe do të përkujdesemi që të gjitha procedurat deri në fuqizim të bëhen në kohë sa më të shpejtë. Institucionet e drejtësisë duhet të shqiptojnë dënime maksimale për dhunuesit e ngacmuesit seksual!”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj “Facebook”.
Sot është arrestuar i dyshuari 25-vjeçar

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e sulmit seksual në qendër të Pejës.
Sipas Polcisë, më 27.09.2022, rreth orës 21:30, ёshtё paraqitur viktima femër kosovare, e cila informon se deri sa ka qenë duke ecur nё rrugën “Wesli Clark” nё Pejё, njё person i panjohur pёr viktimën e ka kapur nga pas dhe e ka mbajtur pa dёshirën e saj, duke e prekur në pjesё tё ndryshme tё trupit.
“Viktima ka arritur qё tё largohet nga i dyshuari dhe e njëjta ka ardhur nё Stacionin Policor nё Pejё, e cila deklaron pёr ngjarjen si mё lartё”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tri ditë më vonë, Policia ka arritur ta arrestoj të dyshuarin 25 vjeçare me inicialet F.B.
“Policia menjёherё ka marrё tё gjitha masat e nevojshme pёr zbardhjen e kёtij rasti, dhe pas një pune intensive operativo-hetimore, nga hetuesit e Stacionit Policor nё Pejё, sot me datë 30.09.2022, ёshtё identifikuar dhe arrestuar personi i dyshuar: F.B lindur me 1997”, ka njoftuar Policia.
Pёr tё gjitha kёto veprime ёshtё njoftuar Prokurori i shtetit, ndёrsa i dyshuari pas intervistimit tё prokurorit tё shtetit ёshtё dёrguar nё mbajtje pёr 48-orё.
Pas publikimit të videos, reagon babai i alpinistes që u sulmua seksualisht
Babai i alpinistes Mrika Nikçi, Arianit Nikçi, ka reaguar pas videos që e ka publikuar vajza e saj në të cilën shihej duke u sulmuar seksualisht nga një person që tashmë është arrestuar.
Sipas tij, ky është rast shumë brengosës për të gjithë qytetarët.
Ai shkroi se është mirënjohës ndaj organeve të rendit dhe qytetarëve që ndihmuan në zbulimin e kësaj vepre.
“Mirënjohës për kordinimin efikas të organeve të rendit dhe qytetarëve të shqetësuar, të cilët ndihmuan ne zbulimin e këtij veprimi të poshtër”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Mrika Nikqi, është një alpiniste e re, cila bashkë me të atin në 2019 realizoi me sukses misionin e ngjitjes në shtatë majat më të larta në shtatë kontinentet e botës. Ajo është vajza më e re në botë që ka ngjitur shtatë maja ende pa i mbushur 18 vjet. 
Alpinistja Nikqi publikon video: Isha viktimë e sulmit seksual

Alpinistja, Mrika Nikqi ka publikuar një video në Facebook, në të cilën shihet se si një person në mbrëmjen e 27 shtatorit e kishte sulmuar seksualisht në qytetin e Pejës.
Në shkrimin në “Facebook”, Nikqi ka thënë se veprimi është kryer nga F.B., ndërsa ka shtuar se do të flasë publikisht pasi Gjykata të marrë vendimin e plotfuqishëm.
Pamjet tregojnë momentin e sulmit, ndërsa shihet se viktima i shmanget sulmuesit vetëm pasi në vendngjarje vijnë disa qytetarë të tjerë.
“Shokë e shoqe, po ju njoftoj për një rast i cili me ka tmerruar plotësisht! Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B., anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës. Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt. Në videon e bashkangjitur, e gjykoni vetë këtë gjest të shëmtuar, viktimë e të cilit ka mundur të jetë çdo familjarë i juaji”, ka shkruar ajo. Unë dhe familja u jemi mirënjohës organeve kompetente dhe qytetarëve të cilët me angazhimin e koordinuar, dhe shumë shpejtë, mundësuan identifikimin dhe arrestimin e sulmuesit i cili ka lënë një vragë të shëmtuar në jetën time.
I dyshuari është arrestuar nga Policia e Pejës./21Media

Back to top button