Sulmon policët me armë, arrestohet një person

Ai është i dyshuar edhe për përfshirje në raste tjera

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një person për dy vepra tentim vrasje ndaj policëve dhe vjedhje. Sipas policisë i dyshuari për vjedhje teksa po ikte nga policia ka gjuajtur me armë në drejtim të tyre.

“Sot rreth orës 01:00, policia ka marrë informacionin për një rast vjedhjeje në progres në rrugën “Rifat Burgjeviq” në lagjen Bregu i diellit, në Prishtinë. Me të marrë informacionin, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në gjendje flagrante ka hasur personin e dyshuar, i cili menjëherë ka filluar ikjen për t’iu shmangur arrestit policor. Personi i dyshuar përgjatë përpjekjeve të tij për të ikur nga policia, ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policor, por fatmirësisht nuk ka arritur të qëlloj ata. Duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre, zyrtarët policor domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme të të dyshuarit si dhe për ta vënë të njëjtin nën kontroll.”, thuhet në raportin e policisë.

Po ashtu bëhet e ditur se përkundër shkrepjeve nuk ka pasur të lënduar veç se dy zyrtarë policior kanë marrë lëndime gjatë arrestimit të të dyshuarit.

“Të njëjtit kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme. I dyshuari, A. E, mashkull, 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas arrestimit me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.Të njëjtit policia i ka sekuestruar edhe një revole, e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rastin në fjalë.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas Policisë është zgjeruar rrethi i hetimit edhe për disa raste të tjera për të cilat ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti mund të jetë i implikuar.

“Bëhet fjalë për një rast tentim vrasjeje, të ndodhur me datën 24.10.2018, rreth orës 02:00, ku i dyshuari ka shtënë në drejtim të një zyrtari policor, pasi që i njëjti është hasur në tentativë të kryerjes së veprës penal.
Gjithashtu edhe më datë 02.11.2018 rreth orës 20:00, në përpjekje për t’iu shmangur legjitimimit policor i njëjti ka shtënë në drejtim të zyrtarit policor, për të ikur më pas në drejtim të panjohur.”, përfundon komunikata.

Back to top button