Sulmuan deputetët dhe gazetarët, kërkuan falje dhe u liruan me kusht!

Të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit në Maqedoni janë liruar me kusht

Para Gjykatës Penale në Shkup, mbështetësit nga organizata “Të palëkundurit” i pritën me duartrokitje të akuzuarit për dhunën në Kuvend të cilët kaluan vetëm me dënim me kusht.

I akuzuari i parë Dimçe Hristovski – Zhaba do të marr dënim prej një viti e gjysmë nëse në pesë vitet e ardhshme kryen ndonjë vepër penale. Të tetë të tjerët do të dënohen me 6 muaj burg, nëse në 18 muajt e ardhshëm kryejnë ndonjë vepër penale. Në seancë kaluan dy orë. Të gjithë e pranuan fajin dhe thanë se janë penduar. E bindën gjyqtaren se atë ditë kanë ndodhur në vend të gabuar, në kohë të gabuar dhe se nuk kanë pritur që gjërat të dilnin jashtë kontrollit. I akuzuari Angell Zafirovski i njohur si Bate Gelle tha se është shkrimtar dhe se jeton për Maqedoninë. Vetëm një pjesë e vogël e rreth 20 policëve të dëmtuar kërkuan ndjekje penale kundër të akuzuarve, shkruan TV21.TV

Gjykatësja Millka Angellovska Vasevka, duke e arsyetuar vendimin tha:

“Të akuzuarit e hoqën rrethojën mbrojtëse para Kuvendit, më pas në derën e Kuvendit janë përplasur me policinë. Pasi ia dolën të hynë në organin ligjvënës, janë drejtuar drejt presqendrës ku kanë përdorur shqelma dhe grushte ndaj personave të sigurimit me qëllim që të hynin brenda hapësirës. Gjykata u shqipton masa alternative që paraqesin sanksione adekuate me të cilat do të arrihet qëllimi i dënimit”.

Avokatët e tyre janë të kënaqur me vendimin e gjyqit.

“Një pjesë e madhe e të dëmtuarve nuk u përfshinë në ndjekjen penale të prokurorisë dhe hoqën dorë nga e njëjta. Kështu që, kjo ishte në favor të të akuzuarve si një rrethanë lehtësuese. Të gjithë këta janë qytetarë shembullorë dhe nuk janë dënuar më herët”, tha avokatja Valentina Todorovska.

Kishin guxim ta pranonin veprën penale gjë që është për t’u përshëndetur nga i gjithë opinioni. Këta njerëz dolën fer dhe e pranuan fajin. Për këtë qëllim, sanksioni kundër tyre u shqiptua me kusht”, tha avokati Vllado Dokullevski.

Zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov duke e komentuar vendimin e gjykatës, tha se ai është marrë me porosi partiake dhe se simbolizon një nga ditët më të errëta të gjyqësorit në vend. Nga VMRO-DPMNE kërkuan që gjykata, përveç vendimeve për dhunë fizike, të sjellë vendime edhe për – siç thonë – dhunë politike.

Shilegovi dëshiron që të gjithë fajin për ngjarjet dhe përpjekjet për vrasje të shtetit ligjor ta heq nga vetja dhe nga bashkëpjesëmarrësit e tij në grusht-shtet që atë t’ia hedh popullit të tij. Ky është një akt i turpshëm dhe i palejueshëm”, tha Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.

Hetimi i prokurorisë publike të Shkupit për ngjarjet në Kuvend deri tani rezultoi vetëm me një akuzë, ndërsa po punohet edhe ndaj 30 padive të tjera. Përpos pjesëmarrjes në turmë, dy persona janë të dyshuar për përpjekje për vrasje të deputetit Zijadin Sela./21Media

Back to top button