Ministria e Drejtësisë organizoi konferencën “Rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit”

Ministria e Drejtësisë organizoi konferencën “Rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit”

Në konferencën “Rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit”, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, ministri Abelard Tahiri tha se sot është një ditë e veçantë për sistemin e drejtësisë në Kosovës, që synon të përcaktojë të tashmen dhe të ardhmen e sistemit të drejtësisë.

Sipas tij, Ministria e Drejtësisë ka marrë përsipër që të përgatisë një analizë për sistemin e drejtësisë, mënyrë që ky rishikim për sundimin e ligjit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se realiteti politik dhe juridik është një e arritur dhe tashmë synim është anëtarësimi në BE, një ndër hallkat e saj është edhe sistemi i drejtësisë.

“Sundimi i ligjit është parakusht themelor që çdo qytetar është i barabartë para ligjit. Përmes këtij procesi, unë ofroj mbështetje të plotë për rezultate të prekshme në këtë sektor”, tha Thaçi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Kosova ka bërë progres në sektorin e drejtësisë edhe pse ka nevojë ende për efikasitetin në këtë sektor.

“Jam i bindur se Kosova do të bëjë edhe më shumë për sektorin e drejtësisë. Ne falënderojmë BE-në dhe jam shumë sigurt se edhe SHBA ashtu siç kanë përkrahur Kosovën do të vazhdojnë ta përkrahin. Do të përmbushim çdo kriter që kërkohet dhe në të njëjtën kohë shumë shpejt do ta përmbyllim edhe votimin e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi”, tha Veseli.

Kryeministri Ramush Haradinaj pohoi në këtë konferencë se sundimi i ligjit është prioritet i Qeverisë së Kosovës.

“Qeveria e ka parë të arsyeshme reformat për integrimet euro atlantike. Qeveria është në funksion dhe zotohet për një sundim dhe rend të ligjit. Ju ftoj që këtë rishikim ta bëjmë në funksion të qytetarëve të Kosovës”, tha Haradinaj.

Zëvendës ambasadorja e ShBA, Coollen Hyland tha se është me rëndësi që te gjitha institucionet të marrin pjesë dhe ta respektojnë rishikimin e sundimit të ligjit.

“Ju nxis që të rishikoni këtë proces. Do t’iu ofrojmë mbështetje të plotë në zbatimin e këtij rishikimi”, tha Hyland.