Prioritetet në fushën e sundimit të ligjit: Një perspektivë nga legjislatura e re e Kuvendit!

Prioritetet në fushën e sundimit të ligjit: Një perspektivë nga legjislatura e re e Kuvendit!

Lëvizja Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë paralajmëruar takimin e radhës në mes të grupeve punuese të këtyre dy subjekteve politike. Takimi pritet të mbahet sot nga ora 15:00 për harmonizimin e programit. Siç treguan përfaqësues të LDK-së dhe VV-së, në takim do të diskutojnë për sundimin e ligjit.

Të dyja këto parti po zotohen për reformë rrënjësore te sistemit të drejtësisë dhe Vettingun në gjyqësi, prokurori, polici dhe AKI.

Kështu bënë të ditur në tryezën me temën “Prioritetet legjislative në fushën e sundimit të ligjit: Një perspektivë nga legjislatura e re e Kuvendit”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), e cila u mbajt sot me panelistët: Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Arton Demhasaj nga Organizata Çohu.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se edhe sot në takimin me LDK-në do të flasin për sundimin e ligjit.

Sipas saj, një prej synimeve kryesore të qeverisjes së tyre ajo tha se është kthimi i besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.“Ne kemi obligim që të punojmë pa ndalë për krijimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë. Duhet të ketë verifikim dhe kontroll të prokurorëve, niveleve e larta të policisë dhe AKI-së. Në të kaluarën kemi patur një tendencë të shtypjes së parlamentit. Unë besoj që ka alternativa të shumta se si mund të adresohet çështja e Vettingut. Pa procesin e Vettinugt nuk mund ta kthejmë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë”, tha ajo.

Ndryshe në tryezën e sotme, Arbëresha Loxha nga organizata GLPS tha se sistemi i drejtësisë në Kosovës po mbetet “thembra e Akilit”.

E, Armend Zemaj nga LDK tha se ndryshimet efikase do të ndodhin, për çka tha se kërkohet edhe hartim të legjislacionit të duhur dhe korrekt.

28 tetor ishte mbajtur takimi i tretë i ekipeve punuese të lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për harmonizimin e programit qeverisës.

Ndërsa, dje janë takuar edhe lideri i LVV-së Albin Kurti, me kandidatën për kryeministre nga ana e LDK-së, Vjosa Osmani. Takimin e tyre e bëri të ditur Kurti me anë të publikimit të një fotografie në faqen e tij zyrtare në Facebook. Kurti deklaroi se të dy biseduan për përgatitjet për qeverisjen e re dhe sfidat që i presin.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës janë mbajtën më 6 tetor, dhe sipas rezultateve të KQZ-së, VV renditet e para ndërsa LDK e dyta./21Media