E argjenta në Kampionatin Evropian

E argjenta në Kampionatin Evropian

Vitin që lamë pas u stolis me medalje të argjendtë në Kampionatin Evropian në 1 mijë e 500 metra stil të lirë. Kjo është Medina Surdulli, të cilën nuk mund ta ndalë asgjë drejt realizimit të ëndrrave, ku krahas rezultateve të saj edhe Kosova është stolisur me suksese.

E sukseset e Surdullit kanë zanafillë më të hershme. Ajo në vitin 2012 për herë të parë mori pjesë në kampionatin botëror të notit për personat e prekur me Down Syndrome dhe ndër 23 shtete arriti të jetë në top dhjetëshen e më të mirëve. Ndër të tjera ajo interpreton mbi 40 vepra muzikore pa ndihmën e partiturave, ndërsa moderon dhe ka luajtur në shfaqje të ndryshme në teatër.

Si notare tek Klubi i notit “Termopan”, fituesja e medaljes së argjendt në Francë, në një intervistë për kp tha se në mesin e shumë çmimeve që ka marrë, “Zemra e Kosovës” mbetet ndër më të dashura për të.

“Pasi merrem me not qe 7 vite, merrem edhe me skijim, aktrim, mirëpo më kanë zgjedhur edhe si moderatore. Edhe skijoj, përpos skijimit më së shumti e dua edhe notin, sepse kam marrë pjesë në garë, është çmimi më i madh që e kam marrë, është edhe zemra(harta) e Kosovës. Suksesi ka qenë i lumtur, edhe e kanë ditur që e kam ngritur flamurin në Francë, midis Parisit edhe e kanë ditur që Dina ka dalë e dyta në Evropë, 1500 metra në notim”, u shpreh ajo.

Ajo tha se familja dhe shoqëria nuk ishin çuditur me suksesin e saj, pasi që e dinin qysh më parë aftësinë e saj në not. E për sukeseset e arritura, Surdulli nuk la pa falënderuar babain e saj, menaxheren dhe kryetarin e klubit të notit, pa të cilët tha se suksesi nuk do të kishte këtë kuptim.

“E falënderoj menaxheren time Arjeta Gashi dhe kryetarin e klubit të notit “Termopan”, prej familjes e kisha falënderuar edhe babain sidomos. Familja, kryetari i klubit sidomos edhe menaxherja ime e kanë pritur momentin, që 1500 metra nuk janë pak po as shumë dhe unë kam dëshirë të vazhdojë edhe më shumë për ta arritur këtë sukses”, tha Surdulli.

E gjithë sukseset që ka arritur, Surdulli thotë se kërkojnë angazhim të madh, prandaj edhe ushtron shumë.

“Gjatë ditës unë ushtroj vazhdimisht edhe fitnes. Unë ushtroj, tre herë në javë e kam fitnesin, edhe not ushtroj 5 herë në javë “, theksoi ajo.

Fituesja e medaljes së argjendtë në Kampionatin Evropian për personat e prekur me Down Syndrome, thotë se aq shumë ndjen kënaqësi nga noti, saqë kjo sipas saj ka bërë që të mos i ndjejë vështirësitë përgjatë rrugës. Ndryshe, kampionja e notit, Media Surdulli tha se krahas aktiviteteve tjera si noti dhe skijimi, me kënaqësinë më të madhe edhe lexon, teksa veçoi librin“Erika” të autores Kismete Hyseni.