Haliti: Pse po thoni ka dështuar koalicioni kur nuk e votoni rezolutën

Haliti: Pse po thoni ka dështuar koalicioni kur nuk e votoni rezolutën

Kuvendi i Kosovës po zhvillon punimet e seancës plenare, ku në rend dite janë paraparë rreth 35 pika mbi të cilat po kërkohet vota e ligjvënësve kosovarë.

Ndër të tjera, është hedhur në votim edhe propozimi i rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, por që votuan vetëm 28 deputetë, dhe u shty për seancat e radhës.

Në votim është hedhur edhe propozimi rezolutës nga debati lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, dhe as për këtë nuk ka pasur kuorum në votim.

Gjithashtu nuk është votuar as për propozim-rezolutën nga debati parlamentar lidhur me dështimet e koalicionit qeverisës të cilat kulmuan me mos liberalizim të vizave.

E këtu pati një komentim nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti.

Pse po thoni ka dështuar koalicioni kur nuk e votoni rezolutën”, tha Haliti

Në seancën e sotme plenare po mungon kuorumi në votim, dhe si pasojë e kësaj, deri tani nuk ka arritur të kalojë asnjëra nga pikat.

Nuk ka pasur vota të mjaftueshme as për raportin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi.

Nuk ka kaluar as raporti i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për Bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo bankare.

Deputetët nuk e kanë votuar as raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës për vitin 2017.

Mungesë të kuorumit në votim ka pasur edhe për raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë, për vitin 2017.

Nuk është votuar mjaftueshëm as për emërimi i shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Nuk ka kaluar as votimi për shkarkimin e një anëtari të Bordit të Autoritetit Rregullator të komunikimeve elektronike dhe postare.

Për seancat e radhës ka mbetur edhe votimi i rekomandimeve nga debati parlamentar në lidhje me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit seksual dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale të Qeverisë së Kosovës

Gjithashtu, pas një debati për amendamentin 5, të propozuar nga Bekim Haxhiu, për të mundësuar implementimin e ligjit për Sponzorizime, ku u tha se përmes tij do të mbështetën kultura dhe sporti, nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme.