"Ne në asnjë rrethanë asnjëherë nuk mund të ndërhyjmë në punë të gjykatës sepse jemi larg gjykatës"

“Ne në asnjë rrethanë asnjëherë nuk mund të ndërhyjmë në punë të gjykatës sepse jemi larg gjykatës”

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka konfirmuar se është ftuar nga Gjykata Speciale.

Ai ka bërë të ditut se ka marrë ftesë për të shkuar si dëshmitar, duke shtuar se ka pasur një komunikim intensiv me Dhomën e Prokurorisë së Specializuar.

“Para 2 jave kam marrë ftesë nga Prokurori i Specializuar që në fund të muajit të jem atje në cilësinë e dëshmitarit. Ka qenë e pritshme një ftesë e tillë sepse në 2018 kemi pasur një komunikim intensiv me Dhomat e Prokurorit të Specializuar në cilësinë e ministrit të Drejtësisë. Gjatë këtij viti e kam parë si diçka që ka me ndodh në të ardhmen për shkak të paqartësive gjatë këtyre komunikimeve. Sa i përket përmbajtjes së dokumenteve nuk mundem te flas për shkak se janë konfidenciale por kemi pasur një komunikim goxha të gjatë për disa çështje të ndryshme që kanë qenë në interes të Dhomave të Specializuara”, ka thënë Tahiri në një emision në TV Dukagjini.

Ai ka shtuar se që nga marrja e detyrës së ministrit të Drejtësisë ka thënë se do të krijojë një zyrë brenda MD-së, e cila do të merret me ‘implementimin e obligimeve nga ligjet që kemi për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe ligjin për përkrahjen e atyre që janë të ftuar nga Dhomat e Specializuara’.

“Ne si Kosovë e kemi themeluar një gjykatë, por Kosova ka disa obligime në raport me qytetarët e saj, vizitave që qytetarët do t’i bëjnë personave që mund të jenë të akuzuar. Ne në asnjë rrethanë asnjëherë nuk mund të ndërhyjmë në punë të gjykatës sepse jemi larg gjykatës. MD asnjëherë nuk mund të posedojë ndonjë informacion që është konfidencial apo të dëmtojë procesin”, ka shtuar tutje Tahiri./kallxo.com