Tahiri: Kemi kërkuar që të ndalet tërësisht importi nga Serbia

Sipas Tahirit, produktet serbe kanë dëmtuar zhvillimin e bujqësisë vendore

Importi i mallrave nga Serbia ka shënuar rënie të madhe me vendosjen e taksës 100%. Që prej vendosjes së kësaj tarife, në muajin e parë të saj, Serbia humbi mbi 40 milionë euro në muaj.

Ata që i preku më së shumti kjo taksë ishin bizneset vendore, e në veçanti prodhuesit, të cilët u përballën me mungesë të lëndës të parë, porse shumë shpejt filluan ta marrin atë nga vende të tjera. Nga ata që shfrytëzuan alternativa të tjera ishin edhe bujqit, të cilët duke përjashtuar Serbinë, filluan të importojnë grurin nga vende të ndryshme, përfshirë edhe Kanadanë.

Ndërsa efekti më i mirë i saj, vlerësohet të jetë ne rritjen e prodhimtarisë vendore. Këtë e konfirmoi edhe kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, i cili tha se vendosjen e taksës 100 përqind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vërejtur rritje e prodhimtarisë bujqësore në Kosovë.

Në një intervistë për KP, ai tha se e mbështesin taksën 100 përqind, pasi bujqit kaherë kanë kërkuar që të merren masa për import.

“Produktet bujqësore që na kanë ardhur nga Serbia kanë ardhë me çmime më të ulëta sesa që ne mund të prodhojmë në vendin tonë dhe, ajo na ka bërë konkurrencë jolojale dhe në këtë mënyrë ka bërë dëm të madh në zhvillimin e bujqësisë për arsye se bujqit tanë nuk kanë mundur me mbulu koston e prodhimtarisë me ato çmime që kanë ardhë produktet nga Serbia. E dyta, prej Serbisë na kanë ardhë produkte me vlera jashtëzakonisht të dobëta e nganjëherë edhe të falsifikuara e kemi pasur raste kur ndonjëherë kemi hasur në produkte të dëmshme për shëndetin e njeriut”, tha ai.

Tahiri tha se si bujq kishin kërkuar edhe më herët nga Qeveria që të marrë masa ndaj mallrave që importohen, për shkak të konkurrencës jolojale me të cilën janë përballur prodhuesit vendor.

Ai foli edhe për efektin që taksa 100% pati për grurin. Ai ftoi Qeverinë e Kosovës që të ketë prioritet të saj prodhimtarinë e grurit.

“Brenga nuk është se kemi mbetur të bllokuar, tash s’kemi kah me ia mbajt. Kemi kah me e marrë, kah me importu grurin. Mirëpo Qeveria duhet t’i kushtojë shumë vëmendje grurit, prodhimtarisë vendore të grurit. Ne jemi në gjendje me prodhu grurë të nivelit të lartë dhe kemi sipërfaqe të mjaftueshme me siguru grurë, ndoshta qind për qind jo, por rreth 80 për qind mund ta sigurojmë bukën dhe kjo dueht të jetë prioritet i Qeverisë”, deklaroi Tahiri.

Ndryshe, prej vendosjes së kësaj tarife ndaj mallrave të Serbisë, Bashkimi Evropian që vazhdimisht ka bërë presion tek institucionet e Kosovës që të heqin taksën 100%. Ndërsa, e heshtur nuk ka qëndruar as ShBA-ja.

Back to top button