Tahiri: “Exit-poll-et” nuk kanë qenë asnjëherë të sakta

Tahiri: “Exit-poll-et” nuk kanë qenë asnjëherë të sakta

Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës tha se nga informacionet që i kanë marrë prej terrenit, PDK do të jetë partia e parë ne shumicën e komunave, por që kjo do të konfirmohet kur të numërohet edhe vota e fundit. Ai tha se PDK ka shënuar një fitore me një dallim shumë të vogël nga partia e dytë.

Në konferencën e parë të kësaj partie pas orës 19:00, Tahiri ftoi komisionerët dhe vëzhguesit që të qëndrojnë në qendrat e votimit meqë siç tha ai ka ende shumë qytetarë që po presin për të votuar.

“Nga të gjitha informacionet që kemi nga terreni PDK do të jetë parti e parë në shumicën e komunave të Republikës së Kosovës por presim një fitore më të vogël se zakonisht por jemi të sigurt që do të konfirmohet kur të numërohet edhe vota e fundit në këtë proces. Jemi të bindur që në këto zgjedhje PDK ka shënuar një fitore me një dallim shumë të vogël nga partia e dytë, megjithatë jemi fitues të këtij procesi”, tha Tahiri.

Ai foli edhe për rezultatet që po dalin nga “exit poll-et” ku tha se ata nuk janë relevantë.

“Për fat të keq asnjë ‘exit poll’ s’ka qenë as afërsisht i saktë në asnjë palë zgjedhje. Kështu qe ‘exit poll-et’ janë jo relevante, sa për ilustrim ‘exit poll’ i zgjedhjeve të kaluara pati nxjerr PAN si parti fituese mbi 40%”, tha Tahiri.