Tahiri: Reformat në sistemin e drejtësisë do të jenë në të mirë të bizneseve

Rukiqi:  Një format institucional për çështje komerciale i nevojshëm

Themelimi i gjykatës e cila merret vetëm me shqyrtimin e çështjeve komerciale është e domosdoshme që bizneset të jenë të mbrojtura.

Kështu u tha me rastin e hapjes së kampanjës “Drejtësia dhe bizneset” në Ferizaj,  e cila u mundësua nga Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht me Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se duke parë problemet me të cilat ballafaqohen bizneset me sistemin e drejtësisë kanë nisur reforma  ligjore që prekin edhe komponentët ligjor të aspektit komercial. Sipas tij përmes kësaj reforme tentojnë që sistemin e drejtësisë ta kthejnë në lehtësi për bizneset.

“Nuk jam i interesuar që të bëjmë një reformë dhe ta nxjerrim në letër, dhe e cila në fund të ditës nuk do të jetë e përshtatshme dhe nuk iu përgjigjet nevojave të biznesit dhe nuk iu përgjigjet nevojave tuaja. Këtë reformë ne jemi të interesuar që ta bëjmë bashkërisht me ju duke i dëgjuar edhe hallet edhe problemet që ballafaqoheni me drejtësinë, gjykatat, prokuroritë dhe pa dashur të merremi raste të përveçme, mirëpo gjithmonë duke tentuar për të rregulluar sistemin dhe drejtësia me qenë ajo që e lehtëson punën tuaj dhe mos të jetë barrë e juaj”, tha Tahiri.

Ai ka bërë të ditur se janë duke shqyrtuar mundësin e krijimit të një gjykate, e cila do të merret vetëm që proceset komerciale, ndonëse në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë ekziston Departamenti për çështje komerciale.

Edhe Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovë, tha se themelimi i një gjykate që merret me çështjet komerciale është nevojë imediate.

“Një njësi a do të quaj gjykatë apo një format institucional, i cili ekskluzivisht do i trajtojë çështjet komerciale dhe fiskale të përfshihet në atë hierarkinë e sistemit gjyqësor në infrastrukturën e sistemit gjyqësor në mënyrë që përfundimisht që kur t’iu drejtohemi bizneseve tona me iu rrit investimeve dhe kur i thërrasim investitorët e huaj për të investuar në Kosovë t’ iu tregojmë që ne jemi në gjendje t’i mbrojmë, t’i garantojmë që kontratat e tyre t’iu realizohen, t’iu garantojmë që të drejtat e tyre pronësore nuk cenohen”, tha ai.

Drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Investitorëve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa kërkoi që në sistemin e drejtësisë të bëhet ndaras trajtimi i çështjeve gjyqësore  nga ato komerciale.

“Një ndër sfidat thelbësore që gjithnjë është shfaqur nga ju dhe investitorët e huaj ka qenë që nevoja që çështjet e juaja ekonomike apo komerciale të ndahen nga kontestet tjera gjyqësore”, tha ai.

I pranishëm në hapjen e kampanjës “Drejtësia dhe bizneset” ishte edhe kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Veliu i cili tha se sfidë për bizneset mbetet edhe mos sundimi i ligjit.

Për të lehtësuar punën e bizneseve Veliu tha se kanë ndërmarrë hapa konkretë, derisa nga legjislacioni vendor kërkoi të bëhet me shumë për sundimin e ligjit.

“Kemi themeluar gjykatën apo njësinë në Shtime e cila nuk lidhet krejtësisht me çështjet ekonomike por lidhet me atë që punohet më kushte më të mira dhe ka efikasitet dhe efektivitet më të lartë për të mbaruar lëndët që ishin të grumbulluara si stoqe dhe sigurisht që gjykata themelore ne Ferizaj është krijuar një mundësi më shumë për të zgjidhur çështje”, u shpreh Veliu.

Themelimin e një gjykate që do të trajtojë çështjet komerciale dhe fiskale të domosdoshme e ka konsideruar edhe drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, i cili kërkoi që ky instrument të jetë komplet i pavarur dhe që sipas tij kjo do ndikonte që të ulej edhe numri lëndëve komerciale në gjykata.

Të pranishëm në hapjen e kësaj kampanje ishin edhe një numër i pronarëve të bizneseve që veprojnë në Ferizaj, të cilët adresuan edhe brengat e tyre që kanë si pasojë e mos sundimit të ligjeve. Shumë prej tyre u shprehën se përmbaruesit dhe noterët nuk po e kryejnë punën e tyre si duhet.

Për këtë çështje ministri Tahiri theksoi se shumë shpejt do të funksionalizojnë një zyrë që do të merret me vlerësimin e punës që bëjnë përmbaruesit dhe noterët.

Back to top button