Tahiri: Rendimenti i grurit të sivjetmë, më i ulëti në 10 vjetët e fundit

Tahiri tha se rendimenti i grurit sillet 2700 kilogramë për hektarë

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, ka shprehur sot shqetësimin lidhur me rendimentin mesatar të grurit të sivjetmë, për të cilin ka thënë se është në nivelin më të ulët në dhjetë vjetët e fundit dhe se Kosova sivjet ka siguruar vetëm 25 për qind të bukës.

Ai në një konferencë për media me rastin e përfundimit të korrje-shirjeve në Kosovë, tha se rendimenti i grurit sillet 2700 kilogramë për hektarë dhe se rreth 30 mijë hektarë kanë qenë më pak të mbjella me grurë sivjet.

“Rendimentet kaq të ulëta vijnë edhe si pasojë e konkurrencës jo lojale nga importi që po lejon Qeveria me sjell mullixhinjtë dhe tregtarët kosovarë grurë të kualitetit të dobët me çmime shumë të ulëta prej 12 deri 14 centë”, ka thënë ai.

Fermeri Nexhmi Hyseni në këtë konferencë ka ngritur çështjen e keqpërdorimeve për subvencione dhe grante nga Ministria e Bujqësisë. Ai para mediave grisi programin e Ministrisë për subvencione dhe grante për, siç shpreh, kriteret e gabuara që po i aplikon MBPZHR për fermerët aplikues. Ai tregoi se ka qenë i dëmtuar si fermer duke u anashkaluar për mbështetje financiare.

Back to top button