Ministrja Tahiri premton se kërkesat e tyre do t’ia përcjellë Qeverisë së Kosovës

Ministrja Tahiri premton se kërkesat e tyre do t’ia përcjellë Qeverisë së Kosovës

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri priti në takim një delegacion nga komuniteti boshnjak të udhëhequr nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Çerim Bajrami.

Sipas një komunikate për medie ministrja Edita Tahiri, vlerësoi me rëndësi të veçantë takimin me përfaqësuesit e komunitetit boshnjak, duke thënë se kjo është një mundësi e mirë për t’u njohur me pozitën e tyre, problemet dhe shqetësimet që ka ky komunitet.

“Ajo më tej theksoi se pavarësisht që dialogu i Brukselit ka trajtuar vetëm çështjen e integrimit të komunitetit serb në institucionet e Kosovës përmes shuarjes së strukturave paralele serbe në shumë fusha, Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për një kujdes të shtuar institucional ndaj komunitetit boshnjak, por edhe gjithë komuniteteve tjera që jetojnë në atë pjesë të vendit”, thuhet në komunikatë.

Ministrja Tahiri u shpreh se diskutimet që do të bëhen së bashku, do të jenë në funksion të zgjidhjes së problemeve dhe përmirësimit të mirëqenies së komunitetit boshnjak dhe komuniteteve tjera.

Ndërsa deputeti nga komuniteti boshnjak Çerim Bajrami, prezantoi situatën e komunitetit boshnjak që jeton në komunat veriore, duke theksuar se problemet kryesore lidhen me papunësinë, por edhe me një ndjenjë të anashkalimit, duke thënë se përqendrimi vetëm te integrimi i komunitetit serb është një qasje diskriminuese ndaj komuniteteve tjera nga ana e marrëveshjeve të dialogut të Brukselit.

Në anën tjetër, Adriana Hoxhiq tha se komuna e Mitrovicës veriore është një shembull i mirë i një komune shumetnike sepse se ka punësuar qytetarë nga të gjitha komunitetet, duke potencuar se kemi njerëz të etniteteve të ndryshme në nivel të drejtorëve, zyrtarëve të lartë dhe zyrtarëve të përgjithshëm.

Ministrja Tahiri në përmbyllje të takimit premtoi se kërkesat e tyre do t’ia përcjellë Qeverisë së Kosovës, duke premtuar angazhime shtesë për të trajtuar dhe zgjidhur problemet dhe shqetësimet e tyre./21Media

http://rtv21.tv/tahiri-takohet-nje-delegacion/
Facebook Comment