Tahiri: Thaçi duhet të ndalet

“Kam ftuar edhe Ramën, të tërhiqet, sepse edhe ia është i futur në këto skenarët e rrezikshme bashkë me Thaçin”

Ish-kryenegociatorja në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri ka deklaruar se kryeministri Ramush Haradinaj, në pamundësi të ndalë rrugën e presidentit Thaçi në Bruksel, ka vendosur taksën e cila ka bllokuar dialogun.

Duke shprehur qëndrimin e saj kundër korrigjimit të kufijve, ajo thotë se Hashim Thaçi duhet të ndalet përmes institucioneve. Sipas saj, një marrëveshje që prek kufijtë, është marrëveshje që çon në luftë. Ish-ministrja e Jashtme ka një porosi për udhëheqësit shtetëror.

Edita Tahiri, që dikur udhëhiqte delegacionin e Kosovës në bisedimet më Serbinë në Bruksel, mendon se udhëheqësit institucional, përfshirë këtu presidentin e vendit, duhet të hartojnë një deklaratë, ku secili hedh firmën aty dhe e njëjta siguron që nuk do ketë ndryshim kufijsh.

Në një intervistë për kp, ajo thotë se ky mospajtim që po zhvillohet e qe duket se është për taksën, realisht është se nuk ka unitet për mbrojtje të kufijve, meqë presidenti është për korrigjim, ndërsa të tjerët janë kundër.

“Mbrëmë, ose sot, nesër, të ndodh kur takohen këta liderë që janë në pushtet, përfshi edhe Thaçin, dhe vendosin të bëjnë një deklaratë me nënshkrime, për opinion, se nuk ka ndryshim kufijsh, ka respektim të Kushtetutës të Kosovës, ma merr mendja edhe kryeministri mbi atë dokument ndryshe e shikon edhe taksën. Unë taksën e kryeministrit e kam lexuar edhe me një nivel tjetër; në pamundësi me ia ndalë rrugën presidentit, ai me taksë së paku po bllokon negociata”, thotë ajo.

Megjithatë, vendimin për taksën e sheh si përgjigje të mirë ndaj Serbisë, dhe sipas saj ndërkombëtarët duhet të bëjnë presion edhe në Serbi.

Tahiri thotë se Parlamenti ka dështuar dhe nuk ka zotësi të nxjerr një platformë për dialogun, që do të bënte të qartë se askush nuk mund t’i prek kufijtë e Kosovës, dhe se çfarëdo bisede me Serbinë do bëhet për fqinjësi të mirë.

Ajo thotë se Thaçi e ka gabim historik, andaj sipas saj, ai duhet të ndalet.

“Porosia ime për udhëheqjen e Kosovës është që tani duhet të ndalet Thaçi më, e kam ftuar zotin Thaçi disa herë të tërhiqet nga idetë për shkëmbim territore apo ndryshim kufijsh. Këto nuk janë ide të Thaçit por ide serbo-ruse për krijimin e Serbisë së madhe në dëm të tokave shqiptare…. Motivet nuk ia di pse e bënë këtë Thaçi, por që e ka gabim, e ka gabim historik. E kam thënë që duhet të tërhiqet, madje kam ftuar edhe Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, të tërhiqet, sepse edhe ia është i futur në këto skenarët e rrezikshme bashkë me Thaçin, bashkë me Vuciqin, nëse nuk tërhiqet duhet të ndalet”, thotë Tahiri.

Duke folur për idenë e korrigjimit të kufijve, ish-kryenegociatorja Edita Tahiri thotë se kufijtë në Ballkan ndryshohen vetëm me luftë.

Sipas saj, nëse udhëheqësit e shtetit nuk dalin me një platformë që garanton se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, populli do të marrë situatën në dorë dhe do të shpërthejë një revoltë gjithpopullore.

“Mendoj që askush nuk guxon t’i prek kufijtë e Kosovës, kufijtë në Ballkan bëhen me luftë, vendosen me luftë, ndryshojnë me luftë. Kjo është historikisht, po ndodh edhe tash sepse nëse udhëheqja e Kosovës nuk është në gjendje me nxjerr një platformë për dialogun me Brukselin me vijë të kuqe që nuk ndryshon kufijtë e Kosovës, dhe delegacioni respekton plotësisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, jam thellë e bindur që populli do të marrë situatën në dorë, do të shpërthejë një revoltë gjithpopullore”, u shpreh ajo.

Edita Tahiri foli  edhe për atë që ajo po e sheh si manipulim me faktorin ndërkombëtar. Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri thotë se vënia në tavolinë e temës së kufijve do t’i bënte favor vetëm Serbisë dhe Putinit.

Ajo përsëritë që qëllimi i Kosovës, edhe partnerëve amerikan dhe evropian, ka qenë që përmes dialogut të ri-integrojnë veriun, të mbyllin çështjen me Serbinë dhe të vendosin marrëdhëniet ndr-fqinjsore mes dy shteteve.

Back to top button