Sipas ministrit ka tendencë për manipulime

Sipas ministrit ka tendencë për manipulime

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në një konferencë për media të premten, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po i strehon të dyshuarit kryesor që lidhen me vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

“Kemi pas një komunikim të rregullt me Ministrinë e Drejtësisë në Serbi, deri kur kemi ardhur në momentin kur është kërkuar ekstradimi në Republikën e Kosovës, i disa të cilëve i strehon presidenti Vuçiq. Tashmë është një shkëputje e bashkëpunimit sepse njerëzit e dyshuar strehohen nga Presidenca serbe”, theksoi ai.

Tahiri shtoi se tash ka tendencë për manipulime që ndërlidhen me rastin në fjalë.

“Ne i bëjmë thirrje që t’i dorëzojnë shtetit të Kosovës personat të cilat janë në kërkim nga drejtësia për rastin në fjalë. Sepse të gjithë ne jemi të interesuar të zbardhim rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqi”, tha ministri.

Në nëntor të vitit të kaluar, në veri të Mitrovicës me urdhër të Prokurorisë Speciale, ishin arrestuar katër të dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Ndërkaq, në janar të këtij viti, Gjykata e Prishtinës lëshoi urdhër arrest për nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i dyshuar për rastin e vrasjes së Ivanoviq./kallxo