Ademi i dhuroi një fanellë të Kombëtares O'Connell-it

Ademi i dhuroi një fanellë të Kombëtares O’Connell-it

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, priti sot në selinë e tij ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruiari O’Connell, me stafin e tij. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe anëtarja e KE-së, Vjollcë Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe drejtuesit e grupit të tifozëve “Dardanët”.

Fillimisht presidenti Ademi i shprehu falënderime ambasadorit O’Connell për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës. Po ashtu, ai e falënderoi për përkrahjen e dhënë Kombëtares së Kosovës në çdo ndeshje që ka luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri’.

Ndërkaq, ambasadori O’Connell i përgëzoi drejtuesit e FFK-së për punën e deritashme dhe për sukseset e arritura jo vetëm me Kombëtaren A, por edhe me ekipet e tjera të grupmoshave, pastaj për organizimin fantastik të ndeshjeve dhe për sjelljen e shkëlqyeshme të tifozëve.

Tutje, ambasadori O’Connell e vlerësoi si storie të suksesit FFK-në, duke uruar që rezultatet pozitive të Kombëtares, por edhe klubeve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, teksa premtoi se gjithmonë do të jetë afër Kombëtares së Kosovës, pasi tashmë edhe djali i tij është bërë një fans i madh i Dardanëve.

Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për çështjen e vizave dhe për lehtësimin e procedurave për tifozët dhe stafin për shkuarje në ndeshjet e muajit shtator në Angli. Gjithashtu temë bisede ishte edhe ndeshja e kthimit në muajin nëntor kundër Anglisë, e ku të dyja palët vlerësuan se është një rast shumë i mirë i promovimit të kulturës dhe mikpritjes sonë për tifozët anglezë.

U diskutua edhe për organizimin sa më të mirë të ndeshjeve të klubeve, në rast se Feronikeli dhe Prishtina kalojnë në rrethin tjetër të garave evropiane, me ç’rast do të takoheshin me klubet britanike, TNS dhe Glazgou Rangers. Edhe për këtë çështje ambasadori u shpreh i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e procedurave për pajisje me viza, si dhe njëherësh kërkoi që të bëhet një organizim sa më i mirë edhe nga klubet dhe autoritetet lokale që mikpritja për tifozët të jetë në nivelin më të mirë.

Në fund, presidenti Ademi dhuroi një plaketë dhe një fanellë të Kombëtares për ambasadorin O’Connell, derisa dhuratë për ambasadorin kishte përgatitur edhe kryetari i “Dardanëve”, Lulzim Berisha, për çka ambasadori u shpreh tejet falënderues.

Ndeshja Angli – Kosovë, do të zhvillohet më 10 shtator në “St. Mary’s Stadium” në Southampton, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”.