"Qytetarët duan qeverisje të re, të mirë e të drejtë..."

“Qytetarët duan qeverisje të re, të mirë e të drejtë…”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar mëngjesin e sotëm me kreun e LDK-së, Isa Mustafa. Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në këtë takim është biseduar për situatën politike dhe iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

“Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik e jo për korrupsion institucional. Qytetarët duan qeverisje të re, të mirë e të drejtë dhe jo keqqeverisje që na e rrit borxhin, zhvat buxhetin dhe falimenton ndërmarrjet. U pajtuam që t’i bëjmë përgatitjet e nevojshme për rrëzimin e qeverisë”, ka shkruar Kurti.

Në anën tjetër, përmes një komunikate të LDK-së u bë e ditur se në takim kanë diskutuar për organizimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së koalicionit PAN.

“LDK, në nëntor të vitit të kaluar, kishte aprovuar Platformën Zgjedhore duke konstatuar se institucionet e dala nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 nuk po e bëjnë punën e tyre në interes të vendit dhe të forcimit e të konsolidimit të shtetit të Kosovës, se Kuvendi i Republikës së Kosovës është bërë jofunksional dhe se Qeveria e koalicionit qeverisës nuk përfaqëson shumicën në Kuvend. Rrjedhimisht, LDK vlerësoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje përmes votës së mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale ose përmes shpërndarjes së Kuvendit duke kërkuar nga të gjitha organet e LDK-së angazhim të plotë dhe të gjithanshëm për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme. Mustafa dhe Kurti vlerësuan se edhe përkundër faktit qëgrupet parlamentare të LDK-së dhe të LVV-së bashkërenditën aktivitetin opozitar kundër qeverisjes së dëmshme dhe një mori skandaleve të kësaj qeverie dhe të këtij koalicioni, situata në Kosovë po përkeqësohet. Korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme. Në ditët në vijim, grupet parlamentare do të veprojnë në organizimin e mocionit.”, bëhet e ditur në komunikatë.

Isa Mustafa para pak ditësh ka paralajmëruar këtë takim, që sipas tij do të shërbejë për të bashkërenditur veprimet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale dhe përmbysjen e Koalicionit PAN. Po ashtu, Mustafa ka deklaruar se do të takohet edhe me kreun e PSD-së, Shpend Ahmetin.

Për një mocion për rrëzimin e Qeverisë, nevojiten 61 nga 120 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, tri partitë opozitare: LDK, Lëvizja VV dhe PSD, i kanë gjithsej 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës./21Media