“Taksa 100% ka vënë në hije punën e Kosovës në kryesimin e CEFTA-s”

Po mbahet Java e CEFTA-s

Në Javën e CEFTA-s që po mbahet në Prishtinë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka thënë se si objektivë e përgjithshme e politikave ekonomike, Qeveria e Kosovës i kushton rëndësi të madhe mbajtjes së një ekonomie liberale, duke respektuar të gjitha rregullat e OBT-së.

Sipas tij, Kosova njihet si një shtet kandidat potencial dhe Kosovës i është dhënë edhe perspektiva e BE-së. Shala ka shtuar se Serbia nuk ka respektuar marrëveshjen e CEFTA dhe ka krijuar barriera në vazhdimësi ndaj kompanive kosovare për lëvizjen e mallrave nëpër Serbi.

“Përqindja e importeve të BE për të gjitha vendet e CEFTA-së përveç Kosovës është 60%. Për Kosovën kjo përqindje është 40%. Përqindja e eksporteve në BE për të gjitha vendet e CEFTA-së përveç Kosovës është 40%. Për Kosovën kjo përqindje është 20%. Ju lutem, tregoni se si ekonomia e Kosovës do të ishte konkurruese përderisa në mënyrë të pareshtur ka harmonizuar legjislacionin e saj me Acquis të BE-së ndërsa tregu i saj dominohet nga fqinjët të cilët nuk e njohin Kosovën”, ka theksuar ministri.

David Cullen nga Komisioni Evropian ka thënë se taksa ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e ka vënë në hije punën e Kosovës në kryesimin e CEFTA-s.

“Si pasojë e kësaj mase jo të gjitha palët e CEFTA-s janë këtu në këtë Javë dhe nuk mund të merren vendime të përbashkëta të CEFTA-s. Më lejoni të jap qëndrimin e KE për këtë. Masat e fundit që janë vënë nga Kosova, janë kundër rregullave dhe parimeve të CEFTA-s. Mosmarrëveshjet tregtare ndodhin dhe ne e kuptojmë se ka barriera të vërteta, që Kosova po ballafaqohet me to, por duhet të adresohen në forume adekuate që përfshihen edhe kornizën e CEFTA-s”, ka deklarur Cullen.

Ai tutje ka thënë se derisa masa ndaj mallrave me origjinë serbe dhe të Bosnjës është miratuar, kryesimi i Kosovës ka qenë i suksesshëm.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë Serbia nuk ka respektuar marrëveshjen e CEFTA-s dhe kjo e fundit asnjëherë nuk ka arrit që të zgjidhë këto probleme.
Rukiqi ka deklaruar se 60 përqind e bizneseve nuk kanë parë asnjë përfitim nga CEFTA. Sipas tij, nuk janë vetëm Serbia dhe Bosnja që kanë shkelur marrëveshjen e CEFTA-s. N

Në Javën e CEFTA-sa që po mbahet në Prishtinë, nuk po marrin pjesë Serbia, Bosnja dhe Moldavia.

Back to top button