B2B, forumi i biznesit në Shkup

B2B, forumi i biznesit në Shkup

Afaristët e Maqedonisë së Veriut, Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë po përballen me vështirësi të shumta, infrastrukturore, barriera tarifore dhe jo tarifore. Këtë e thonë Nebi Hoxha dhe Skender Krasniqi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-perëndimore, respektivisht Oda Ekonomike e Kosovës.

Për zgjidhjen e problemeve foli kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Vendet tona, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Parasegjithash në planin politik, planin e biznesit. Qytetarët  tanë kanë lidhje familjare po edhe shoqërore. Por potencialet për bashkëpunimin ekonomik i kemi shumë më të mëdha se ajo që kemi për momentin. Si Qeveri, jemi të fokusuar të ndërtojmë infrastrukturë më të mirë t’i përmirësojmë procedurat administrative në mes vendeve tona aq sa është e mundur dhe t’i ndajmë përvojat e vendeve tona aq më shumë sa është e mundur dhe të krijojmë atmosferë që secili nga ju biznesmenët nga cili do qoftë rajon dhe në cilindo vend qoftë të bashkëpunojnë ose të investojnë dhe të ndjehen si në shtëpi”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Jemi duke punuar edhe në përmirësimin e infrastrukturës edhe në heqjen e barrierave jo tarifore administrative, por edhe teknike, për shkak se është obligim i Qeverive që të lehtësojë tregtinë midis vendeve fqinje por njëkohësisht edhe qarkullimin e pasagjerëve”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Krerët e odave ekonomike të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës thonë se afaristët e Maqedonisë së Veriut kanë shfaqur interes të shtuar dhe e kanë shfrytëzuar taksën që Republika e Kosovës ja vendosi produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Barriera, apo taksa 100% e vendosur në Kosovë ndaj Serbisë dhe Bosnjës në Maqedoni ka pasur një impakt pozitiv dhe është mirë që të shfrytëzohet ky moment, sepse është një mundësi që kompanitë tona prodhuese të tregojnë kapacitetet e tyre të shfrytëzojnë maksimum dhe të depërtojnë në tregun e Kosovës”, u shpreh Nebi Hoxha nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-perendimore.

Të dhënat e tregojnë që ka rritje të madhe të tregut dhe bizneseve të Maqedonisë në Kosovë. Kjo është një përparësi, ashtu siç e tha edhe kryetari që të shfrytëzohet derisa është kjo gjendje në Kosovë. Po edhe ne jemi të interesuar që të rrisim bashkëpunimin dhe investimet dhe bizneset tona të jenë më prezente në Maqedoni”, tha Skender Krasniqi nga Oda Ekonomike e Kosovës.

E sipas të dhënave të Odës Ekonomike, Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë ndër vendet që Maqedonia e Veriut më shumë eksporton se sa importon. Sipas të dhënave të fundit, në vitin 2018-të Maqedonia e Veriut në Shqipëri ka eksportuar produkte në vlerë prej 89.2 milionë dollarë amerikan me ç’rast ka shënuar rritje prej 20%  kurse ka importuar produkte prej 76.9 milionë dollarë amerikan me ç’rast ka shënuar rritje prej 11.1%.

Nëse analizohen të dhënat me Republikën e Kosovës, Maqedonia e Veriut ka eksportuar produkte në vlerë prej 265.8 milionë dollarë amerikan me ç’rast është shënuar rritje prej 17.7 përqind. Ndërkaq ka importuar produkte në vlerë prej 34.7 milionë dollarë amerikan, me ç’rast ka shënuar rënie prej 6.7 % përqind për dallim nga viti 2017./TV21