Nurkoviq tha se kanë biseduar për shumë projekte që duhet të realizohen në të ardhmen

Nurkoviq tha se kanë biseduar për shumë projekte që duhet të realizohen në të ardhmen

Së shpejti do të fillojë ndërtimi i tunelit ndërmjet Pejës dhe Rozhajes, por gjithashtu do të hiqet edhe taksa kufitare në mes Malit të Zi dhe Kosovës.

Kështu u tha pas takimit në mes ministrit të Transportit dhe Çështjeve Detare të Malit të Zi, Osman Nurkoviq dhe ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, të cilat kanë diskutuar edhe për një marrëveshje për trafikun, ndërtimin e një kahje të re rrugor, si dhe hekurudhore ndërmjet Pejës dhe Rozhajes.

Nurkoviq pas takimit tha se kanë biseduar për shumë projekte që duhet të realizohen në të ardhmen. Ai shtoi se kanë kryer planin ideor për pjesën e tyre, të cilën do t’ia dorëzojnë Qeverisë së Kosovës, derisa tha se kanë diskutuar edhe për çështjen e heqjes së taksës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Kurse, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se kjo vizitë është një shembull i mirë i bashkëpunimit të dy qeverive.

“Biseduam për tri çështje me rëndësi që do të ndikojnë në lidhjen e korridoreve, dhe në lidhjen ajrore, hapësinore, dhe ajo që ne u dakorduam, i përmendi edhe zotëri ministër, që ne të zhvillojmë infrastrukturën rrugore, infrastrukturën hekurudhore, dhe atë që u dakorduam edhe për sigurinë e taksës në kufi. Dhe ne mendojmë që ajo që është përmend sa i përket tunelit në mes të Pejës dhe Rozhajës, tani po zhvillohet fizibiliteti në intensitet shumë  të madh, dhe kjo nuk do të jetë vetëm fjalë, por do të implementimet me përpikëri”, u shpreh Lekaj.

Përndryshe, ministri Nurkoviq tha se marrëdhëniet e shkëlqyera politike në mes dy vendeve do të avancohen edhe më shumë.