Taksa ndaj produkteve serbe mund të rritet

Haradinaj nuk e di çka bisedohet sonte në Bruksel

Kryeministrit Ramush Haradinaj sot  në një konferencë për media pati porosi edhe për Serbinë, ndaj së cilës paralajmëroi mundësinë e rritjes së taksës së vendosur prej 10 % për prodhimet e tyre. Sipas Haradinajt, taksa mund të rritet, nëse shteti serb vazhdon me qasjen destruktive ndaj Kosovës.

Kështu Haradinaj u shpreh në konferencën e mbajtur për media pas takimit të Këshillit Ministror për Integrim Evropian ku u dakorduan prioritetet e ERA-s, si dhe u vendosën prioritete për ERA

“Takimi i radhës Thaçi- Vuçiq është një agjendë ekzistuese e zonjës Mogherini, nuk di saktë se çka do të shtrohet për diskutim, kuptohet që është dialogu, por nuk di saktë, ajo çka më bën përshtypje është se meqenëse dialogut po i jepet kaq rëndësi në vazhdimësi nga BE-ja, nga palët tjera mund të thuhet se Kosova vërtetë është treguar shumë e aplikueshme për dialog. Dhe do të ishte shumë keq që njërës palë të dialogut në këtë rast Kosovës dhe zotit Thaçi t’i thuhet ti hajde në dialog por qytetarët e tu nuk do të marrin liberalizim. Edhe zoti Thaçi atëherë është mirë të analizojë vet se çfarë të bëjë, a duhet me vazhduar me shkuar në këto takime kështu edhe a duhet me pranuar që çdo agjendë e vendit të vet me ju bart në disponimin e shtetit fqinj”, tha Haradinaj.

Vendimi për taksën ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bsonjës dhe Hercegovinës u kritikua edhe nga BE-ja, mirëpo Haradinaj thotë se qasja e Serbisë nuk mund të tolerohet deri në pakufi.

“Nuk e kemi marrë këtë vendim as me dëshirë as me arrogancë, as nuk e kemi qëllimin e ndonjë propagande të caktuar. Jemi në zor se Serbia, me të cilën jemi edhe palë në dialog, i cili është edhe kandidat për anëtarësim në BE dhe hap kapituj, kërcënon publikisht edhe praktikisht familje të vendit tonë, të pjesëtarëve të FSK-së serbë, po jo vetëm serbë, kjo duhet me u ndalë, nuk lejohet kështu….Ky kërcënim është kriminal, nuk është as politik, edhe ne s’mundemi pa kufi, pastaj kur i shtojmë kësaj edhe një destruktivitet në planin ndërkombëtar të Ministrit të Jashtëm të Serbisë edhe deklarime të tjera, detyrimisht e kemi marrë këtë veprim, pra nuk është veprim i dëshirës, nuk është veprim i maksimumit, është një masë e parë e cila ka mundësi me u rrit, e cila ka mundësi me kaluar edhe në masa të tjera, por nuk është bë kjo për ndonjë taktizim  dhe nuk është e përkohshme. Derisa nu k ndërron qasja, nuk ndërrojmë në këto qëndrime”, tha ai.

Bashkimi Evropian i ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që urgjentisht të shpjegojnë vendimin e tyre për të rritur tarifat me 10% në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiq ka thënë se këto vendime janë një shkelje e obligimeve të Kosovës në kuadër të CEFTA-s. Mirëpo, zëdhënësi i Qeverisë, Halil Matoshi për rtv21.tv është shprehur se në raport me CEFTA-n, Kosova ka marrë të gjitha obligimet ndërkombëtare kur ka qenë e përfaqësuar bashkë me UNMIK-un.

Qeveria e Kosovës të marten ka marrë vendim për vendosjen e masave në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ky propozim erdhi nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Kjo masë vendoset për qumështin dhe produktet e qumështit, uji, biskotat, materialet ndërtimore dhe lëngjet e prodhuara në këto dy vende. Por, kjo masë përjashtohen produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, dy shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kosova përveç që ka importin e mallrave më të madh nga Serbia, këtë vit ka shënuar edhe ngritje të importit nga ky shtet. Vlera e importit të mallrave nga Serbia nga janari i vitit 2018 deri më 15 tetor të këtij viti është rreth 360 milionë euro, kryesisht mallra të industrisë ushqimore dhe të materialit ndërtimor. Ndërkaq, Kosova ka eksportuar mallra në këtë shtet në vlerë jo më shumë se 23 milionë euro.

Back to top button