“Taksa nuk mund të pezullohet përderisa nuk dihet për çfarë marrëveshje po bëhet fjalë”

Deklarata e Haradinajt pas takimit me përfaqësues të bizneseve të Mitrovicës

Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj edhe njëherë ka ripërsëritur vendimin e tij se taksa nuk do të hiqet, me përjashtim vetëm nëse do të dihej se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë, taksa mund të pezullohet. Haradinaj ka thënë se në gjendjen në të cilën është Kosova, është vështirë të merret ndonjë vendim për pezullim të taksës.

“E kemi të vështirë marrjen e një veprimi që do të lidhej me pezullimin e taksës, sepse kemi shumë paqartësi, sepse spo e dimë për çka është fjala, a është fjala për një proces të dialogut si kem pa deri tani, kur ftohen në takime dhe e kemi parë që ai proces na ka dëmtu realisht në vazhdimësi. Apo është fjala për arritjen apo konfirmimin e një marrëveshjeje të cilën nuk e kemi parë dhe nuk e dimë çka është. Pra është bukur zor Kosova me e marrë një vendim.”, ka thënë Haradinaj, pas takimit me përfaqësues të bizneseve të Mitrovicës.

Më tej, Haradinaj ka thënë se është dakord që të pezullohet taksa, në rast se do të ketë një kontratë potenciale për të cilën pezullohet taksa. Këto deklarata të Haradinajt vijnë pas takimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ekipit negociator me diplomatë amerikanë, ku pas këtij takimi nga presidenca përmes një komunikate kanë thënë se i gjithë ekipi negociator ka shprehur gatishmërinë për respektimin e këshillës së SHBA-ve për pezullimin e taksës dhe rifillimin e dialogut në Bruksel.

Ndërkohë, lidhur me këtë ka reaguar bashkëkryesuesi i ekipit negociator, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se ekipi negociator nuk është deklaruar për suspendimin e taksës dhe se nuk është diskutuar për këtë në asnjë takim./21Media

Back to top button