Tani do të ketë autobusë nga Prishtina deri në aeroport

Pas nënshkrimit të memorandumit do të formohet një komision

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi për lëshimin në qarkullim të linjës së autobusëve të Prishtinës, deri në aeroport.

Ahmeti ka thënë se pas këtij nënshkrimi kanë për të formuar një komision të përbashkët, për të caktuar orarin dhe çmimin.

“E kemi nis një diskutim për linjën e autobusit prej Prishtinës për në aeroportin e Prishtinës. Sot jam i lumtur që e nënshkruam këtë memorandum mirëkuptimi. Kjo është linjë pronë e ministrisë sepse është ndërkomunale. Kemi arrit marrëveshje që ne si komunë me trafikun urban të ofrojmë këtë shërbim. Ideja është që çmimi të jetë më i lirë se me taksi. Është çudi që nuk e kemi pasur deri më tani”, ka thënë Ahmeti.

Në anën tjetër, Lekaj ka thënë se ky nënshkrim i sotëm shkon në favor të qytetarëve.

“Edhe ky nënshkrim shkon në favor të qytetarëve. Të kemi linjë të rregullt qarkullimi për në aeroportin e Prishtinës. Ne kemi shpall interes publik por kompanitë nuk kanë qenë të interesuara dhe në dakordancë me komunën po e plotësojmë këtë kërkesë të pasagjerëve. Me kryetarin e Prishtinës kemi edhe projekte të infrastrukturës.”, ka thënë Lekaj.

Gjatë këtij takimi, janë dakorduar që Ministria e Infrastrukturës t’i ndajë 2 milionë euro për rrugën A në kryeqytet./21Media

Back to top button