Hasolli ka bërë të ditur se kanë zgjedhur që në disa episode të përfshijnë figura publike

Hasolli ka bërë të ditur se kanë zgjedhur që në disa episode të përfshijnë figura publike

“Te berberi” është seriali i ri vendor, që u mundësua falë bashkëpunimit të Nsh.Dera Film & Network of Global Businesses GmbH. E veçanta e këtij seriali është karakteri i saj komik dhe realizimi i tij jashtë vendit, përkatësisht në Zvicër.

Në rolin kryesor luan Xhevdet Jashari, i cili pas disa dështimesh hap biznesin e tij në Basel, ndërsa, në kuadër të skenave që xhirohen aty trajtohet një numër temash që kanë të bëjnë me diasporën shqiptare.

Për hollësitë e këtij cikli të episodeve në një intervistë për Kp ka folur regjisori dhe producenti Latif Hasolli. Ai ka shtjelluar idenë e serialit, por pa zbuluar shumë, në mënyrë që shikuesit çdo herë të befasohen me secilin episod.

“’Te berberi’ është emri i serialit. Personazh kryesor e kemi Xhevdet Jasharin. Është një berber, i cili nuk din me qeth. Si biznes e hap pas shumë dështimeve në diasporë, e hap me xhirimet e mikut të tij, Dauti që e luan Florimi, edhe ky i premton që kanë me gjet shumë punë. Ndërsa Luiza është ajo e cila ua merr paret, krejt çka fitojnë. Do të thotë, koncepti i serialit është komedi, e cila zgjat gjithmonë 22 – 25 minuta, trajtohen tema ditore për llojin e biznesit, por gjithmonë ka risi. Përveç klientëve që janë aktorë, kemi edhe një sektor të VIP-ve, të cilët Dauti, në këtë rast Florimi, ia siguron mikut të vet. Edhe ata janë gjithmonë në nivelin e klientëve, por VIP”, ka thënë ai.

Për të bërë edhe më tërheqës serialin, Hasolli ka bërë të ditur se kanë zgjedhur që në disa episode të përfshijnë figura publike, të cilat do të shërbejnë si një lloj freskie për shikuesit.

Realizimi i projektit është bërë i mundur si rezultat i përkushtimit dhe gatishmërisë për të mbuluar shpenzimet në mënyrë vetanake. Porse, si rezultat i vlerësimit që i është bërë pilot projektit, seriali ka edhe sponsorët e vet.

“Puna po shkon shumë mirë. Është e vërtetë që është pak më i komplikuar për shkak se si serial është duke u realizuar në Zvicër, në Basel. Por, kam fatin që kam një bashkëpunëtor shumë të mirë, po ashtu producent, Florim Brajshori. Dhe, bashkë me të, i kemi thjeshtësu dhe lehtësu gjërat. Deri në këtë fazë i kemi realizuar gjashtë episode… Ky ka me qenë edicioni i parë. Pastaj, në vjeshtë fillojmë edhe me 8 tjera. Do të thotë gjithmonë kanë me qenë 8 blloqe, ose 8 seri për një sezon. Do të thotë për këtë vit i bie me qenë 16 për këtë vit”, ka thënë Hasolli.

Ai ka shtuar se seriali është i bazuar në komeditë amerikane, si një format më kinematik që nuk pretendon ta mbajë shikuesin përherë duke qeshur, por duke marrë mesazhin e duhur karshi trajtimit të temave.

“Ne kemi dashur të bëjmë një komedi të mençur, komedi të situatave, të rrethanave, që shikuesi me e pa një ngjarje dhe ajo ngjarje me rezultu me një të qeshur. Por, jo në vazhdimësi me e tepru. Do të thotë, është një format pak më i analizuar, pak më i mençur, që me ardhë deri tek një humor si pasojë e një rezultati ose rrethane, e jo me i keqpërdor ose me provu me shku në banalitet veç për me qesh shikuesi”, ka shpjeguar ai.

Regjisori ka bërë të ditur se kanë pasur në fokus gjithë shoqërinë, teksa ka bërë të ditur se kur dhe ku transmetohen episodet e serialit.

“Ne kemi përzgjedhur. Kemi marrëveshje me televizionin 21. E kemi përzgjedhur një lloj strategjie që fillimisht është me i ofru publikut të gjerë në RTV 21. Dhe, pas shfaqjes në RTV 21, që i bie çdo të shtunë në ora 20, dhe çdo të diel e ka reprizën në 17, në të njëjtën ditë shfaqet edhe në RTV 21 në Shkup dhe të hënën është repriza atje. Ne kemi dashur me e kap secilin shikues, se jo çdo kush mundet me pas qasje në rrjete sociale”, ka theksuar ai.

Në këtë cikël episodesh, me skenar të Lirak Çelaj, tek seriali “Te berberi” luajnë një numër aktorësh, të cilët me mjeshtri artistike paraqesin karakteret interesante: Shabani – Xhevdet Jashari, Luiza – Olta Gixhari, Dauti – Florim Brajshori, Albani– Shqipri Kelmendi, Edi – Kreshnik Ibrahimi, Laura – Fortesa Mustafa.

Ndërkaq, në dy episodet e para nga figurat publike kanë marrë pjesë Meda dhe Lorik Cana, kurse befasi të tjera priten në episodet vijues.

Ndryshe, seriali “Te berberi” transmetohet në RTV 21, çdo të shtunë në orën 20:00, kurse reprizën e ka të dielave në orën 17:00. Ndërkaq, premiera në youtube është çdo të diel nga ora 20:00.