Kryeministri priti në takim përfaqësuesit e të burgosurve politikë

Kryeministri priti në takim përfaqësuesit e të burgosurve politikë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, u takua sot me përfaqësuesit e Shoqatës së të burgosurve politikë të prirë nga Hydajet Hyseni dhe Meriman Braha, të cilët pasi e uruan kryeministrin për detyrën e falënderuan atë për siç thanë kujdesin e dëshmuar dhe të vazhdueshëm për këtë kategori të shoqërisë kosovare.

Kryeministri Haradinaj tha se të burgosurit politikë të Kosovës janë brezi më i persekutuar i popullit të Kosovës, të cilët përgjatë tërë shekullit 20 e mbajtën të gjallë – me fuqinë e mendjes dhe trupit – idenë e lirisë së Kosovës.

“Ata ishin refuzuesit e shtypjes, frymëzuesit dhe kontribuuesit më të mëdhenj të lirisë së Kosovës”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Përfaqësuesit e të burgosurve politikë diskutuan me kryeministrin e vendit për ligjin për të burgosurit politik, për realizimin e një projekti muzeor të kujtesës, ku do të ekspozoheshin emrat dhe fotografi të burgosurish, dokumente e letra dhe mjetet e torturës mbi ta. Pastaj ata parashtruan kërkesat, që të krijohet Instituti i dokumentimit dhe që të bëhen përgatitje për shënimin e 50-vjetorit të demonstratave të vitit 1968, vitin e ardhshëm.