Të enjten pritet ratifikimi në parlamentin Grek, marrëveshja e Prespës në duart e Greqisë

Marrëveshja e Prespës tashmë është futur në procedurat e Kuvendit të Greqisë

Komisioni për mbrojtje kombëtare dhe punë të jashtme ka nisur me shqyrtimin e draft-ligjit. Me bilancin aktual, siç shkruan gazeta greke, “Katimerini”, 28 deputetë në komision e favorizojnë marrëveshjen, ndërsa 27 janë kundër.

Të mërkurën në 10:00 të mëngjesit, sipas orës lokale pritet të fillojë debati në Kuvend. I njëjti parashihet të vazhdojë edhe të enjten, ndërsa kohëzgjatja varet nga numri i deputetëve që do të paraqiten për debat. Nëse numri i deputetëve që do kërkojnë fjalë është i madh, debati mund të zgjasë deri në orës 02:00 ose 03:00 të mëngjesit.

E deri sa të gjithë presin se ç’do ndodhë në Kuvendin grek nga New York-u ka reaguar ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic, i cili pret që Greqia të ratifikojë Marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës.

“Pas njoftimit të ish Republikës së Jugosllavisë se ka përfunduar porcedura për miratimin e amendamenteve kushtetuese dhe procedurave vendore juridike për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Prespës, sipas përcaktimeve të saj, ratifikimi vazhdon në Republikën e Greqisë. Pres me padurim që ky proces të përfundojë ashtu siç është cituar në Marrëveshje”, tha Metju Nimic.

Njëjtë si në Maqedoni, edhe Qeveria në Greqi përballet me opozitaren që kundërshton Marrëveshjen e Prespës. Opozitari Kirijakis Micotakis deklaroi se shumica është artificiale dhe numra të zbrazët para miliona grekëve që nuk pajtohen me Marrëveshjen. Megjithatë, kohëve të fundit përflitet se Kryeministri grek, Aleksis Cipras tashmë i ka siguruar 151 votat e nevojshme për marrëveshjen.

Krahas 145 deputetëve të “Sirizas” së Ciprasit, pritet që votë “pro” marrëveshjes të japin edhe 3 deputetë të “Rekas”, 2 të “Grekëve të Pavarur” dhe 2 deputetë të pavarur. Kundër marrëveshjes së Prespës dje para Kuvendit në Athinë pati protesta të dhunshme, ndërsa sipas bilancit që sot e nxori policia greke, në protesta morën pjesë rreth 60 mijë persona. Pati edhe rreth 40 të lënduar, nga të cilët 25 policë, një fotoreporter dhe një kameraman, ndërsa janë arrestuar 12 persona.

Back to top button