Duhen 9 vota të anëtarëve të komisionit që të vendoset nëse seanca do të jetë e hapur apo e mbyllur

Duhen 9 vota të anëtarëve të komisionit që të vendoset nëse seanca do të jetë e hapur apo e mbyllur

Këshilli i Prokurorëve në Maqedoninë e Veriut i ka sugjeruar Kuvendit që raporti për shkarkimin e Katica Janevës të shqyrtohet prapa dyerve të mbyllura, për shkak se përmban materiale të klasifikuara. Kryetari i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Ilia Dimovski, thotë se është e drejtë e Komisionit për të vendosur nëse një seancë do të jetë e hapur apo e mbyllur, megjithatë konsideron se në këtë rast do të duhej të ishte seancë e hapur, andaj edhe do të kërkojë deklasifikim të raportit.

“Për këtë gjatë ditës do të dërgoj letër deri tek Kryetari i ri i Këshillit të prokurorëve Aco Kolevski me të cilën do të theksoj këtë dispozitë të ligjit dhe do të kërkoj, do të lutem, për deklasifikim të raportit, duke mbajtur mundësinë që propozimi për mbajtjen e fshehtësisë të materialit të vendoset në votim në Komision për zgjedhje dhe emërime dhe vendimin ta sjellë komisioni”, theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, raporton TV21.

Duhen 9 vota të anëtarëve të komisionit që të vendoset nëse seanca do të jetë e hapur apo e mbyllur. Në rast se vendoset që të zhvillohet pa praninë e opinionit, në të nuk do të mund të marrin pjesë as deputetë që nuk kanë certifikatë të vlefshme për qasje në informacione të klasifikuara, informoi Dimovski.

Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Aco Kolevski i tha TV21 se ende nuk e ka marrë kërkesën e Dimovskit. Sipas tij ekzistojnë mundësitë ligjore për deklasifikimin e raportit, por vendimin përfundimtar do ta marrë Këshilli, duke e pasur parasysh edhe faktin se “Reketi” është rast në hetim e sipër.

Krahas kërkesës për deklasifikim, deputeti Dimovski po ashtu ka edhe një paqartësi.

“Unë gjatë ditës do t’i dërgojë letër z.Talat Xhaferi me pyetjen dhe lutjen të më informojë se cilat janë katër partitë më të mëdha politike në bazë të numrit të deputetëve”, tha Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Kjo kërkesë e Dimovskit rrjedh nga paragrafi 2 i nenin 18 të ligjit të PPS-së ku shkruhet se Prokurori Publik, mes tjerash, shkarkohet edhe me pëlqim paraprak të katër partive politike me numër më të madh të deputetëve në Kuvend. Por cilat janë katër partitë me numër më të madh deputetësh? Në fakt 3 të parat dihen, LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI. Por cila është e katërta?

Kryeparlamentari Talat Xhaferi përmes telefonit na tha se situata tani është e tillë sa që nuk mund të identifikohet se cila është partia e katërt me numër pmë të madh deputetësh, sepse janë 3 parti që aktualisht kanë nga 3 deputetë në Kuvend. Sipas tij në këtë rast të tria mund të deklarohen për qëndrimin e tyre për shkarkimin e Janevës, por pa pasur mundësinë të ndikojnë në proces.

Duke mos pranuar të tregojë shumë detaje, Dimovski tha se nga ajo që ka lexuar deri më tani në raport, ka elemente më se të mjaftueshme që Kuvendi të procedojë dhe vendosë për shkarkimin e Janevës.

Seanca e komisionit është caktuar për të enjten.

Pasi të sjellë vendim, të njëjtin e propozon për votim në seancë plenare. Duhen 80 vota deputetësh për ta shkarkuar Janevën, si dhe me shumicë të badenter./21Media