Miqet e Kosovës kremtojnë sëbashku me ne

Miqet e Kosovës kremtojnë sëbashku me ne

Në sheshin “Skënderbeu” nesër më 12 qershor, në orën 11:00 do të shënohet 20 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Në kremtimin e ditës së çlirimit  do të marrin pjesë ish-presidenti i SHBA-vë, Bill Clinton, ish-sekretarja Albright, dhe shumë personalitete tjera vendore e ndërkombëtare.

Me këtë rast, nga ora 11:00, në sheshin “Skënderbeu” do të mbahet tubimi qendror i shënimit të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Kurse nga ora 14:00 do jetë “Ecja për liri”, për të vazhduar drejt sheshit “Albright”, afër American School of Kosova, për të bërë përurimin e Bustit të Sekretares Albright. Ndërkaq në orën 15:00 , do të bëhet vizitë në Bulevardin Bill Clinton, afër shtatores së ish- Presidentit Bill Clinton.Qytetarët e Republikës së Kosovës, ftohen që të bashkohen në shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s.

Sot bëhen 20 vjet nga tërheqja e forcave kriminale ushtarake e paramilitare serbe nga Kosova, duke shënuar kështu fillimin e fundit të Millosheviçit nën regjimin e të cilit humbën jetën djemë e vajza, të cilët kërkuan lirinë e Kosovës. Tërheqja filloi në ditën kur hyri në fuqi marrëveshja e nënshkruar më 9 qershor 1999 në Kumanovë në mes forcave të NATO-së dhe ushtrisë së atëhershme jugosllave. Sulmet, që vazhduan për 78 ditë, u anuluan më 10 qershor, pasi Komandanti Suprem i NATO-së, gjenerali Wesley Clark i raportoi Këshillit të Atlantikut Verior se sulmet ajrore detyruan diktatorin Sllobodan Millosheviq të fillonte tërheqjen e plotë të forcave nga Kosova. Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara-UNMIK, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore./21Media