“Të gjendet vrasësi i Ivanoviqit, që qytetarët të ndihen të sigurt në veri”

Një vit nga vrasja e Oliver Ivanoviqit

Me kurora lulesh dhe ndezje qirinjsh para selisë të SDS-së në veri të Mitrovicës në një vjetorin e vrasjes u përkujtua politikani serb, Oliver Ivanoviq.

Në këtë ngjarje përveç familjarëve të të ndjerit, morën pjesë edhe miqë, kolegë partiakë, ambasadori zviceran në Kosovë, Jean Hubert Lebet ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Lajiq si dhe qytetarë që ishin mbledhur aty.

Kryetarja e SD’-së, Ksenija Bozhoviq tha se qetësia që ka mbretëruar pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, për fat të keq është prezente edhe sot në këto hapësira.

Sipas saj, vrasësi i Ivanoviqit duhet të gjendet, në mënyrë që qytetarët të ndihen të sigurt për të vazhduar jetesën atje.

“Edhe pas një viti nga  vrasja e liderit tonë ne sot nuk dimë asgjë as për autorët dhe as për urdhëruesin e vrasjes. Përveç deklaratave të Prishtinës dhe Beogradit, si dhe Bashkësisë Ndërkombëtare, ne sot akoma nuk dimë për vrasësin. Për fat të keq, qetësia që ka mbretëruar pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është prezente edhe sot në këto hapësira. Kemi dashur të dërgojmë porosi të qartë se institucionet e Kosovës kanë rënë në provim që nga dita e parë, sepse që nga dita e parë e zhvillimit të hetimeve që është bërë në mënyrë jo profesionale, ashtu kemi edhe epilogun e kësaj ngjarje për të cilën sot nuk dimë asgjë. Këto institucione janë krijuar nga vetë ata, andaj sot apelojmë tek ta, se duhet kuptuar që vrasësi i Oliver Ivanoviqit duhet të gjendet, në mënyrë që qytetarët të ndihen të sigurtë dhe të vazhdojnë të jetojnë këtu”, tha Bozhoviq.

Ajo falënderoi ministrin e Tregtisë të Serbisë, Rasim Lajiq për mbështetjen e vazhdueshme nga dita e parë, ndërsa kritikoi mos prezencën e ambasadorëve dhe ndërkombëtarëve në këtë ngjarje, për të cilët tha se i kanë premtuar ardhjen.

Edhe njëri nga ish avokatët e viktimës, Lubomir Pantoviq u shpreh i pakënaqur me rezultatet e deritashme rreth kësaj vrasje.

“Unë si ish mbrojtës i Oliver Ivanoviqit mund të them se nuk jam i kënaqur që pas edhe një viti nuk kemi rezultate konkrete në lidhje me hetimet rreth vrasjes. Kemi tre të dyshuar për dhënien e ndihmës, por nuk kemi asnjë lëvizje konkrete sa i përket kryesit të drejtpërdrejtë, përkatësisht urdhëruesit të vrasjes. Me rezultatet e deritashme nuk janë të kënaqur as familjarët dhe as publiku. Unë nuk dyshoj se prokuroria nuk po angazhohet në këtë drejtim, paralelisht hetimet po zhvillohen edhe nga Beogradi, mirëpo rezultate nuk kemi. Sa i përket Millan Radojçiqit nuk mund të them gjë, sepse nuk kemi informacione sa duhet, përveç asaj që dihet se është në listën e të dyshuarve, ndërsa konkretisht për çka akuzohet nuk dimë”, theksoi Pantoviq.

Më 16 janar të vitit 2018 në veri të Mitrovicës ishte vrarë lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq. Një vit pas, rasti ende nuk është zbardhur.

Back to top button