"Në vijim do të përzgjedhen përgjegjësitë në qeverisjen e përbashkët"

“Në vijim do të përzgjedhen përgjegjësitë në qeverisjen e përbashkët”

Ka përfunduar takimi ndërmjet liderit të VV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa. Ndonëse s’kanë dhënë deklarata pas takimit, VV doli me një komunikatë për media.

Sipas VV-së në këtë takim është përmbyllur 100% harmonizimi i programit qeverisës, shkruan rtv21.tv.

“Sot në orën 13:00, në Kuvendin e Kosovës, u takuan kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Në këtë takim u përmbyll 100% harmonizimi i programit qeverisës duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura. Nga dy modalitetet e ndryshme për kabinetin qeverisës me 12 ministri, që i kishin ofruar ekipet punuese të dy subjekteve tona, Kurti dhe Mustafa u përcaktuan për verzionin e parë. Në vijim do të përzgjedhen përgjegjësitë në qeverisjen e përbashkët, për çfarë u sqaruan pozicionet dhe kërkesat. Pra, u hap tema dhe u saktësua principi i zgjidhjes, e që përfundimisht do të përmbyllet të hënën me marrëveshje”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, partia fituese doli VV me 29 ulëse në Kuvend ndërsa, LDK me 28 ulëse./21Media