Poezi nga Teodor Keko

Poezi nga Teodor Keko

Të kam dashur

Të kam dashur, të kam dashur,
zemra ime zog i brishtë,
nëpër erëra të kërkon.
Fishkëllen motiv’n e hershëm,
një përgjigje merr të trishtë,
heshtje varri që heshton.

Të kam dashur, të kam dashur,
m’u lodh zemra në kërkim,
krahëkëputur ra mbi breg.
Peshkatari që e gjeti,
vetë u mbyt në një trishtim,
gjakspërkatur si një shegë.

Të kam dashur, të kam dashur,
me aromë të ndoqi zemra,
nëpër erëra e murlane.
Era fryu jug-veri,
nga të shkoj, klithi e shkreta,
unë pa zemër jam kësaj ane.

Të kam dashur, të kam dashur,
i vetmuar zemrën pres,
mal trishtimi në këtë glob.
Era fryn, aroma bie,
zemra ime nuk po vjen,
oh, ka ngrirë në një pol.

Të kam dashur, të kam dashur,
mirë, mos eja, nëse s’do,
veç një diell ngri në skaj.
Të çlirohet zemra ime,
lidhur akujsh nëpër lot,
zemra ime e pafaj…