Bytyqi takohet me studentët

Bytyqi takohet me studentët

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi është takuar sot me përfaqësuesit e Organizatave Studentore ku kanë diskutuar për situatën e krijuar në arsimin e lartë në Kosovë.

Bytyqi i ka njoftuar studentët se përjashtimi i Kosovës nga EQAR nuk ndikon në mosnjohjen e diplomave të studentëve kosovarë në shtetet e BE-së.

“Në cilësinë e Ministrit të Arsimit, pata rastin t’i informoj nga afër përfaqësuesit e organizatave studentore për situatën e krijuar në raport me EQAR. Në këtë takim i garantova ata se nuk ekziston asnjë problem lidhur me njohjen e diplomave të studentëve tonë nga Bashkimi Evropian. Shqetësimet e përfaqësuesve të studentëve ishin reale. Ato lidheshin kryesisht me vullnetin dhe angazhimin që ne e kemi vizion dhe përkushtim të pakompromis për të depolitizuar sistemin arsimor në Kosovë dhe për të garantuar zhvillim cilësor të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë. Në këtë kontekst, i garantova ata se jemi në një linjë dhe se kontributi i tyre është shumë i rëndësishëm dhe i veçantë, në mënyrë që bashkë me shoqërinë civile dhe gjithë mekanizmat tjerë të monitorojmë punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe për të vlerësuar pavarësinë e funksionimit të tij”, ka shkruar Bytyqi në Facebook.

Tutje ministri ka thënë se i ka informuar nga afër studentët për të gjithë hapat që po ndërmerr Ministria që periudhën prej 90 ditësh si e drejtë për ankimim, ta shfrytëzojë maksimalisht për t’u rikthyer si pjesë e EQAR dhe në vazhdimësi sistemi jonë arsimor të garantojë zhvillim normal dhe cilësor.

“Në fund të takimit kërkova edhe një herë që bashkëpunimi me përfaqësuesit e organizatave studentore të rritet dhe të forcohet, në mënyrë që MAShT të jetë në dijeni për secilin shqetësim që studentët e kanë dhe bashkërisht të mund t’u japim zgjidhje problemeve që janë krijuar ndër vite në Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë. Jam i inkurajuar me vizionin dhe përkushtimin e përfaqësuesve të organizatave studentore, për t’i dhënë një drejtim të ri sistemit arsimor në Kosovë, në mënyrë që t’u bëjmë ballë faktorëve të jashtëm që tentojnë të cënojnë zhvillimin e arsimit në Kosovë”, thuhet në postim.

Kujtojmë se javen e kaluar Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtua nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (European Quality Assurance Register for Higher Education – EQAR)./21Media