“Të krijohen ura lidhëse ndërmjet vendeve shqiptare”

Forumi i Shëngjnit për një ekonomi të fortë në shtetet shqipfolëse

Me iniciativën e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar dhe Odës Ekonomike Veri Perëndimore të Maqedonisë po mbahet Forumi për Promovimin e ndërmarrësisë, prodhimit dhe produkteve të trojeve shqiptare në Shëngjin.

Qëllimi i këtij Forumi mbarë kombëtarë sipas prodhuesve shqiptarë është për krijimin e një ekonomie të fortë në shtetet shqipfolëse.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Shabani, duke theksuar rëndësinë e këtij Forumi, tha se në kuadër të kësaj nisme me rëndësi ekonomike qëllimi është për të ndërtuar dhe krijuar ura lidhëse ndërmjet vendeve shqiptare. Sipas tij, si Klub i Prodhuesve për zhvillimin e ndërmarrësisë përveç afarizmit bëjnë  përpjekje edhe për të  avancuar pozitën e prodhuesve.

Kurse, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, theksoi se ky forum është një inkurajim për ekonominë  e qëndrueshme të kombit shqiptarë. Ai tha se mbetet obligim për ta që të lobojnë për një ekonomi të përbashkët për barriera në shtetet si në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Naka ka kërkuar heqjen e tarifave të skanimit doganorë.

Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, tha se struktura ekonomike në Shqipëri dhe Kosovë është konsumuese, jo në eksporte, por të varur nga remitencat e diasporës. Ai deklaroi se për të pasur një  zhvillim ekonomik, qeveritë dhe shtetet përkatëse duhet të orientohen në politikat favorizuese.

Edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e cila po merr pjesë në këtë Forum është e vetëdijshme për sfidat e bizneseve dhe prodhuesve për një hiper konkurrencë, ku për këtë tha se mbetet detyrë e qeverive në rajon që të krijojnë një ambient më të favorshëm duke eliminuar barrierat biznesore.

Kurse ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Tregtisë nga Shqipëria, Milva Ekonomi tregoi për ecuritë dhe planifikimet e Qeverisë  së Shqipërisë për sektorin ekonomik, që ka për synim eliminimin e barrierave biznesore. “Që të punojmë që të gjithë bashkë, gjëja më rëndësishme është që  ta bëjmë këtë tregun tonë ballkanik dhe të funksionoj. Ne jemi përpjekur shumë, sidomos pala shqiptare ashtu edhe ajo kosovare që  t’i qojnë më tej të gjitha detyrat në këtë drejtim”, tha ministrja Ekonomi.

Ministri Ekonomisë nga Maqedonia, Driton Kuqi, vlerësoi se ky bashkëpunimi ekonomik krijon siguri dhe stabilitet në rajon, për çka edhe dikasteri që drejton ai është i fokusuar.

Nebi Hoxha, drejtor i Odës Ekonomike Veri Perëndimore të Maqedonisë,  tha se sa më shumë që ka bashkëpunim me bizneset shqiptare aq më shumë ka zhvillim, prodhim dhe qëndrueshmëri mbarë  kombëtare.

Ngip Fejza i zgjedhur si kryetar i Forumit mbar shqiptar, vlerësoi se me këto nisma prodhuesit shqiptarë po vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe duhet të jenë edhe më unik, gjithsesi me përkrahjen e mekanizmave shtetërorë.

Vlerësohet se shqipfolësit janë tetë milionë konsumatorë. Mërgim Prishtina nga Trepharm, tha se fillimisht duhet krijohet unifikimi i tregut mbarë shqiptarë, pastaj duhet të krijohet edhe unifikimi i tregut ballkanik.

Në  këtë Forum kanë filluar diskutimet e hapura për propozime nga ndërmarrësit, të cilët po marrin pjesë prodhues nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria./21Media

Back to top button