U bënë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve dhe te shtatorja e heroit të kombit, Zahir Pajazitit

U bënë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve dhe te shtatorja e heroit të kombit, Zahir Pajazitit

Datat si 11 qershori, na bëjnë të reflektojmë në punën tonë të përditshme, ashtu që të mos e devijojmë rrugën, të cilën e kanë trasuar dëshmorët, atë për liri e bashkim.

Kështu u tha në seancën solemne të Komunës së Prishtinës, me rastin e shënimit të 19-vjetorit të çlirimit të Prishtinës, në të cilën morën pjesë edhe drejtuesit e Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve, veteranëve të luftës, si dhe invalidëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryesuesi i Kuvendit, Agim Kuleta, nënkryetari i Komunës, Selim Pacolli, si dhe kryetari i OVL-së në Prishtinë, Fatmir Sopi me këtë rast ritheksuan rëndësinë e luftës çlirimtare në Kosovë, e cila ishte kulmi i angazhimit politik të shumë gjeneratave për shumë dekada.

Me rastin e Ditës së 11 Qershorit, një delegacion i përbërë nga përfaqësues të ekzekutivit, Kuvendit Komunal dhe organizatave të dala nga lufta e UÇK-së bënë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë dhe te shtatorja e heroit të kombit, Zahir Pajazitit.