Velijaj: Për të qenë bujar nuk duhet të jesh patjetër i pasur

Velijaj: Për të qenë bujar nuk duhet të jesh patjetër i pasur

Aksionit të Bashkisë Tiranë për mbjelljen e pemëve i janë bashkuar edhe të moshuarit, të cilët mbollën 10 pemë mimozash në Parkun e Madh të Liqenit Artificial. Kryebashkiaku i Tiranës,Erion Veliaj me këtë rast tha se përfshirja e të moshuarve tregon se për të qenë bujar nuk duhet të jesh patjetër i pasur.

“Unë jam sot dhjetë herë mirënjohës për të dhjeta këto mimoza sepse besoj që lënë një kujtim për brezat e tjerë, një frymëzim për shumë të rinj që sot ndoshta e kanë me përtesë të çuarit nga kafja, ndoshta kanë alergji nga lopata, por kur kujtojmë që një gjeneratë ka bërë edhe luftën, edhe punën, në Shqipëri, edhe ndryshimin e sistemit dhe prapë gjen energji për t’i dhënë qytetit diçka mbrapsht, ky është ndoshta himni më i bukur i qytetit tonë”

Kur ka mbetur edhe më pak se një muaj nga 21 marsi, Dita Botërore e Pyjeve, numri i pemëve të mbjella  në Tiranë ka arritur në 90 mijë, transmeton Vizionplus.

“Kemi edhe pak ditë për të kapur objektivin tonë me 100 mijë pemë, ndërkohë që sot sapo kemi kaluar 90 mijë. Nëse do të vazhdojmë me këto ritme, jo vetëm që do ta kalojmë më datën 21 mars, por do të kemi filluar realisht një trend. Ashtu si në vitet ‘90 apo 2000 ishin trend kafet, llotot, bastet, sot po fillon një trend i ri, gjelbërimi, biçikletat, sporti. Nëse do të vazhdojmë kështu do të jemi realisht europianë, siç dëshirojmë të jemi”, tha Veliaj.

Bashkia e Tiranës synon që të realizojë objektivin për mbjelljen e 100 mije pemëve.