63 persona vdiqën nga sëmundjet ngjitëse

 63 persona vdiqën nga sëmundjet ngjitëse

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar sot statistikat e shëndetësisë për vitin 2018.

Sipas rezultateve të dala nga publikimi i ASK-së, rezulton se numri i përgjithshëm i të punësuarve në shëndetësi në sektorin publik, në vitin 2018, ishte 13 mijë e 180 persona, prej tyre 3 mijë e 486 persona ishin mjekë specialistë, 8 mijë e 226 infermierë dhe 1 mijë e 468 staf jo-mjekësor.

Numri i përgjithshëm i shërbimeve të ofruara nga Qendrat e Mjekësisë Familjare, sipas ASK-së ishte mbi 13 milionë shërbime, prej tyre në mjekësi familjare ishin mbi 4 milionë vizita, në stomatologji ishin rreth 683 mijë vizita, në laboratore ishin mbi 2.5 milionë shërbime, si dhe në intervenime dhe shërbime të veçanta ishin 4.5 milionë sosh, përcjell rtv21.tv

381 mijë e 340 ditë shërimi kishte në spitalet e përgjithshme me 84 mijë e  222 pacientë të shtrirë, ku 18 mijë e 376 pacientë ishin operuar.

Po ashtu, janë realizuar 825 mijë e 381 vizita ambulantore, ndërsa shërbime (parametra) laboratorike janë kryer  1 mijë e 571 mijë e 836.

Gjatë vitit 2018, në Qendrën  Klinike Universitare janë shtrirë 78 mijë e 791 pacientë të shtrirë, ku 22 mijë e 715 prej tyre janë operuar. Ndërsa ditë shërimi numërohen 465 mijë e 488 ditë.

Gjithashtu, janë realizuar rreth 352 mijë e  377 vizita diagnostike për pacientë, 515 mijë e 033 vizita ambulantore, 2 milionë e 930 mijë e 787 shërbime laboratorike dhe 551 mijë e 036 shërbime të veçanta.

Në publimin e ASK-së bëhet e ditur se në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës janë realizuar 330 mijë e 522 shërbime stomatologjike në total. Prej tyre rreth 51 mijë e 829 vizita kontrolluese, 81 mijë e 757 shërbime për pacientë jashtë Prishtinës etj.

Në publikim janë është bërë i ditur numri i rasteve të identifikuara dhe të trajtuara me sëmundje malinje dhe beninje, shifra këto mjaftë shqetësuese.

Gjatë vitit 2018, ishin 2 mijë e 475 raste, prej tyre numri më i madh i të prekurve me sëmundje malinje dhe beninje, apo të njohur si kanceri, i përkiste grup-moshës 60-64 vjeç, me gjithsej 392 raste, ose shprehur në përqindje 15.9%.

Numri i dializave të realizuara gjatë vitit 2018, në të gjitha spitalet publike të Kosovës, ishte 124 mijë e 446 raste. Ndërsa, numri i shërbimeve nga qendrat profesionale të shëndetit mendor ishte 352 mijë e  380 raste.

702 raste janë regjistruar i të prekurve me TBC, prej tyre 338 ishin femra dhe 364 meshkuj.

Numri i të vdekurve nga sëmundjet ngjitëse ishte 63, ku numri më i madh i të vdekurve ishte nga sëmundja Sepsis me gjithsej 21 persona, ose 33.3%.

Sipas ASK-së, në bazë të odave të profesionistëve shëndetësorë në Kosovë ka 19 mijë e 241 punonjës shëndetësorë të licencuar, prej tyre 13 mijë e 441 janë femra dhe 5 mijë e 800 janë meshkuj.

Numri i institucioneve private shëndetësore të licencuara ka arritur në 1 mijë e 592, prej tyre 27 spitale dhe 1 mijë e 565 institucione të tjera shëndetësore si: ambulanca, poliklinika etj.

Në fund, nga gjithsej 1 mijë e 592 institucione private shëndetësore të licencuara, numrin më të madh e përbëjnë ambulancat stomatologjike me 418, ose 26.25%, e numrit të përgjithshëm të institucioneve të licencuara private./21Media