Janë bërë një javë që kur ka filluar bojkoti i punës nga të burgosurit e pavijonit 6 të burgut të Dubravës

Loading...

Janë bërë një javë që kur ka filluar bojkoti i punës nga të burgosurit e pavijonit 6 të burgut të Dubravës

Të burgosurit po refuzojnë të punojnë duke kërkuar që të ndryshohet Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, i cili ua ka shkurtuar pushimin në familje brenda vitit dhe ua ndalon pranimin e pakove ushqimore nga familjarët.

Kallxo.com mëson se këto dy privilegje të burgosurit i kanë pasur në bazë të Ligjit të mëhershëm.

Vazhdimin e refuzimit për të punuar nga të dënuarit e ka konfirmuar  Sokol Zogaj, ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Ata po kërkojnë që t’u kthehen këto të drejta. Ministri e ka aprovuar komisionin për dhënien e propozimeve për draftimin e Ligjit për Sanksionet Penale”, tha Zogaj për Kallxo.com, duke aluduar në ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Ndërsa, Alban Muriqi nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, KRCT, ka treguar se ka qenë para pesë ditësh në pavijonin numër 6 për të parë nga afër bojkotimin e punës nga të burgosurit.

Muriqi tha se ndalja e punës nga të burgosurit ka shkaktuar probleme në kuzhinë, si në aspektin e higjienës ashtu edhe të cilësisë së ushqimit.

Edhe Muriqi thotë se bojkoti i punës ka të bëjë me disa kufizime të Ligjit të ri për Sanksione Penale.

“Të drejtat të cilat (të dënuarit) i kanë pasur iu kanë kufizuar. Si e drejta për pushim në vikend dhe për të pranuar pako ushqimore nga familja”, tha Muriqi për Kallxo.com.

Me Ligjin e kaluar për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të burgosurit i kanë pasur 21 ditë pushim në familje, ndërsa me Ligjin e ri atyre u lejohet të bëjnë vizitë familjare vetëm 7 ditë. Sipas Muriqit ky është kufizim i madh për të dënuarit.

“Ministria e Drejtësisë, Qeveria, Shërbimi Korrektues dhe organizatat për të drejtat e njeriut ende nuk e kanë trajtuar seriozisht këtë çështje”, tha Muriqi.