Wikileaks hodhi dritë mbi standardet e ndryshme që përdoret SHBA në politikën e saj të jashtme

Wikileaks hodhi dritë mbi standardet e ndryshme që përdoret SHBA në politikën e saj të jashtme

Panama Papers zbuloi rrjetin e bankave “offshore”, parajsat fiskale dhe boshllëqet ligjore që u japin mundësinë të pasurve, dinastive politike në shtete autoritare dhe krimit të organizuar (të tre kanë shumë para nëpër duar) që të fshehin kapitalet. Por Football Leaks, një faqe interneti me një thesar kontaktesh, dokumentesh sekretë dhe serverësh të sigurt, mund të tregojë për shkeljet që bëhen në ekonominë botërore dhe për rendin ndërkombëtar që sa vjen e shkërmoqet.

Në vitin 2016, në bashkëpunim me Der Spiegel dhe me disa media të tjera europiane, kjo faqe interneti publikoi dokumente që tregonin qartë se sa ishin përhapur sistemet e pagesave të fshehta të paligjshme dhe të mënyrave për të shmangur taksat, që nga tregu i transferimeve e deri te mënyra se si klubet paguanin lojtarët. Pa përmendur pasurinë dhe fuqinë që u ka dhënë kjo gjë agjentëve. Që nga ajo kohë, Lionel Mesi, një nga futbollistët më të paguar në histori, është shpallur fajtor për evazion fiskal. Megjithatë, çuditërisht, ai s’ka për të bërë burg.

Ashtu si Panama Papers, Football Leaks vë në dukje se sa të papërshtatshme janë ligjet e taksve në ekonominë botërore dhe “offshore”, dhe butësinë që tregon sistemi i drejtësisë kriminale ndaj të pasurve. Po t’u shtosh dhe pabarazinë e dukshme e gjithnjë e në rritje që prodhon futbolli europian (pabarazi midis klubeve,kategorive dhe kombeve, si dhe midis spektaklit komercial dhe orgnizatave bazë),  kjo lojë bëhet shembull konkret i ekonomisë së korruptuar që kemi sot.

Mënyra se si të pasurit dhe korporatat i bëjnë bisht detyrimeve shoqërore dhe ekonomike është e neveritshme, por dokumentet dhe historitë që tregon Football Leaks vënë në dukje diçka edhe më shqetësuese: kolonizimin sistematik dhe korruptimin që u bëjnë të pasurit e fuqishëm tifozëve, lojtarëve, klubeve dhe enteve rregullatore.

Kjo është shprehur më qartazi me blerjet e klubeve të futbollit. Për shembull, Liverpuli, Roma, Arsenali dhe Mançesteri janë nën pronësi të miliarderëve amerikanë. Rusët oligarkë janë krekosur dhe e kanë pastruar reputacionin duke blerë ekipe si Chelsea, Monako dhe PAOK Salonika. Mançesteri dhe Paris Saint-Germain janë pronë e familjeve mbretërore të Abu Dabit dhe Katarit,

Megjithatë, atyre nuk u mjafton që po sekuestrojnë kapitalin kulturor e popullor, të krijuar në mënyrë kolektive gjatë një shekulli të tërë futbolli europian, duke e bërë të nënshtrohet nga format bashkëkohore të komercializimit. Tani, ata, ashtu si dhe industria e bankave, kanë nisur të asimilojnë e të përziejnë në vorbullën e tyre edhe agjencitë rajonale të futbollit, të cilat supozohet të jenë ato që caktojnë rregullat.

Në Mbretërinë e Bashkuar u vu re anashkalimi që i bëri Mançesteri rregullave financiare të UEFA-s, të quajtura FFP (Financial Fair Play).  Këto janë hartuar në mënyrë që të mos i lejojnë klubet të kenë përparësi të padrejta, duke marrë borxhe që nuk do t’i paguanin, apo duke firmosur marrëveshje sponsorizimi me kompani që janë aleate të pronarëve. PSG, City  dhe klientët e tyre besnikë, kombinuan buxhetin e lartë që kanë në mënyrë të ligjshme me kërcënime, presion dhe joshje, duke arritur kështu që t’i bëjnë bisht kontrollove e pasojave të shumta. Ky proces iu lehtësua edhe nga Gianni Infantino, që në atë kohë ishte Sekretar i Përgjithshëm i UEFA-s, dhe që bëri çmos që FFP të interpretohej sipas leverdisë së tyre. Ky njeri është tani presidenti i FIFA-s, kreu i peshkut që qelbet nga koka. Ai minon vazhdimisht komisionin e etikës dhe përpiqet t’ua shesë kampionatet botërore investuesve arabë.

PSG dhe City nuk janë të vetmet nga ekipet europiane që përpiqen të shkelin të mirën e përbashkët dhe rregullat publike. Nëse nuk e bën dot botën që t’i nënshtrohet dëshirës dhe vullnetit tënd, atëherë, pse të mos tërhiqesh e të krijosh një botë tënden? Është e njëjta logjikë që shtyn miliarderët e teknologjisë të ndërtojnë shtëpi të mëdha që mund t’u mbijetojnë katastrofave, dhe që shtyn të pasurit të jetojnë në lagje të rrethuara me mure. Po ashtu, dhe në futboll, një grup i vogël, i përbërë nga klubet më të pasura, është vënë në lëvizje për të krijuar një super-ligë të vetën.

Me kërcënimin se mund të krijojnë një ligë të tillë, këta klube kanë detyruar UEFA-n t’u japë më shumë parà e t’u bëjë më shumë lëshime. Mendimet dhe interesat e tifozëve apo të ekipeve të tjera të futbollit nuk janë marrë asnjëherë parasysh.

Peizazhi që po vizaton Football Leaks është i shëmtuar dhe jo-funsksional. Ashtu si në pjesën tjetër të botës, është shumë çnjerëzore. Trashëgimia më e qartë e fuqisë që ka neoliberalizmi për të kënaqur çdo cep të shpirtit njerëzor, duket te neni i kontratës së Neymar me PSG, që thotë se ai do të marrë 375 mijë euro shtesë në vit vetëm për të takuar e për të përshëndetur tifozët. Çdo gjë dhe çdo njeri e ka një çmim, dhe nëse dalin pengesa ligjore, morale apo politike, edhe ato duket se mund të hiqen me parà.

Në fjalimin që mbajti për hapjen e botërorit, Infantino deklaroi se futbolli do ta pushtojë Rusinë. Megjithatë, siç sugjeroi buzëqeshja e Putinit, ishte e kundërta. Rusia dhe agjencitë e saj të sigurisë kishin gjithë situatën në kontroll, dhe futbolli luajti rolin e një satrapi të bindur, që organizon një fshat të rremë “Potemkin”, të zbukuruar vetëm në dukje. FIFA, nën drejtimin e Infantinos, dhe duke mos pasur rezistencë serioze nga futbolli politiko-kulturor, do të jetë nën pushtimin dashakeqës të politikës.