Të pezullohet çdo grevë apo protestë për aq sa zgjat pezullimi i Ligjit për Paga

KMDLNj thërret sindikatat të reflektojnë dhe të respektojnë masën e Gjykatës Kushtetuese

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut fton të gjithë sindikalistët që të pezullojnë grevat për aq sa edhe zgjat pezullimi i Ligjit për Paga nga ana e Gjykatës Kushetuese.

KMDLNj ia përkujton opinionit dhe udhëheqësve sindikalistë se masa e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk është vendim përfundimtar dhe nuk e paragjykon vendimin final prandaj propozon që deri sa të zgjasë masa e pezullimit për zbatim të Ligjit për Paga në Sektorin Publik, të pezullohen të gjitha grevat dhe protestat e paralajmëruara nga sindikatat dhe pjesërisht të realizuara.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë të pakundërshtueshme dhe asnjë grevë apo protestë nuk e vë në pyetje këtë vendim , qoftë si masë e përkohshme apo vendim final. Askush nuk  ka kundërshtuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe kur janë shkarkuar presidentët, kur janë kundërshtuar Marrëveshjet me Serbinë apo edhe Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë. Edhe sindikatat e lartpërmendura nuk kanë asnjë arsye të kundërshtojnë masën e pezullimit nga Gjykata Kushtetuese , deri në një vendim final; nëse Ligji shpallet antikushtetues nuk do të zbatohet fare dhe nëse jo , do të ketë kompensim në mënyrë retroaktive”, bëhet e ditur në komunikatën e KMDLNJ-së.

KMDLNj thërret sindikatat të reflektojnë dhe të respektojnë masën e Gjykatës Kushtetuese, sepse sipas saj, nuk ka zgjidhje tjetër deri në vendim final. Pas kësaj mase askush nuk do të pranojë të lëshojë paga me rritje në bazë të një Ligji për paga e që përkohësisht është pezulluar. Ndryshe do të përgjigjeshin për shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

 

Back to top button