Të rinjtë, viktimat më të shpeshta të aksidenteve në Kosovë

Aksidentet në trafik vazhdojnë të mbesin sfida kryesore globale

Të rinjtë e moshës nga 19-25 vjeç, janë viktimat më të shpeshta të aksidenteve rrugore në Kosovë, ndërkohë që aksidentet në trafik vazhdojnë të mbesin sfida kryesore globale. Vetëm vitin e kaluar 128 persona kanë humbur jetën në Kosovë si pasojë e aksidenteve në rrugë, por edhe fillimi i këtij viti ka shënuar disa viktima nga aksidentet rrugore.

Kështu është e bërë e ditur në konferencën e 6-të ndërkombëtare “Inspektimi, Auditimi dhe Rëndësia e Sistemeve Inteligjente në Transport”, që është organizuar nga Kolegji Tempulli” me disa institucione të tjera.

Me këtë rast, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se aksidentet në trafik sot janë ndër vrasësit më të mëdhenj të njerëzimit në botë. Lekaj ka thënë se në Kosovë vitin e kaluar, ka pasur një përmirësim të numrit të aksidenteve, por që ka potencuar se ende vazhdojnë të jenë të shqetësuar sa i përket sigurisë në trafik.

“Sot siguria rrugore është një sfidë globale dhe aksidentet në trafik sot janë ndër vrasësit më të mëdhenj të njerëzimit në shkallë botërore. Ne në Kosovë vitin e kaluar kishim një përmirësim të lehtë të numrit të aksidenteve krahasuar me viti paraprak, por vazhdojmë të jemi të shqetësuar sa i përket sigurisë në trafik. Unë vitin e kaluar e kam shpallur vit të sigurisë në trafik dhe në këtë frymë janë zhvilluar disa masa konkrete me institucionet dhe partnerët vendor dhe ndërkombëtarë. Gjatë vitit të kaluar kemi arritur ta funksionalizojmë Këshillin e Sigurisë së trafikut rrugor, i cili është një trup ndërministror dhe ka mandat për sigurinë në rrugë”, ka thënë ai.

Dy vendime që ky Këshill i ka marrë javën e kaluar sipas Lekajt janë të rëndësishme, ku i pari ka qenë për evidentim në bazën qendrore të të dhënave të Policisë së Kosovës për të gjitha mjetet rrugore të përfshira në aksidentet e trafikut dhe duke mundësuar publikimin online të tyre. Vendimi i dytë për inspektimin e infrastrukturës rrugore është sipas standardeve evropiane të sigurisë.

I pari i Infrastrukturës ka thënë se si ministri kanë veprime konkrete në vendosjen e pajisjeve të sistemit inteligjent në rrugë.

“Përveç ndërtimit dhe zgjerimit të rrugëve dhe të autostradave të reja kemi edhe veprime konkrete në vendosjen e pajisjeve të sistemit inteligjente në rrugë, i cili vjen si rezultat i bashkëpunimit me Qeverinë Hungareze. Ky projekt pa dyshim se do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë në rrugë dhe do të lehtësojë në masë të madhe punën e zyrtarëve policor”, ka thënë ai.

Ndërkaq, drejtori i Kolegjit të Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, Muhamed Krasniqi, është shprehur se ndjehet i shqetësuar me nivelin e njohurive dhe shkathtësive teknike në ngasje sidomos te shoferët fillestar, të cilët sipas tij janë shkaktarët më të shumtë të këtyre aksidenteve. Ndërkohë që ka thënë se shqetësues mbetet edhe numri i madh i të ashtuquajturave vetaksidente.

“Viti që e lamë pas edhe pse krahasuar me vitet e mëparshme kishte ulje të numrit të aksidenteve prapë se prapë kishim një situatë të rënduar sa i përket sigurisë të lëvizjes në rrugët e Kosovës, e cila fatkeqësisht rezultojë me 128 të vdekur si pasojë e aksidenteve në rrugë. Edhe këtë fillim vit nuk e filluam mbarë sepse kishim disa aksidente ku humbën jetën disa qytetarë të Republikës, dhe pjesa dërrmuese e tyre të rinj, në moshën më produktive për veten dhe shoqërinë. Për çudi këto aksidente kalojnë e ende nuk jepen informata të hollësishme lidhur me shkaktarët e këtyre aksidenteve dhe rrethanat në të cilat janë shkaktuar këto aksidente por thjeshtë shtojnë numrin e statistikave”,  ka shtuar ai.

Krasniqi ka thënë se në këtë konferencë do të diskutohen tema të ndryshme, siç është rritja e sigurisë në trafik, rehabilitimi i të lënduarve, praktikat ndërkombëtare në inspektimin dhe auditimin e rrugëve, domosdoshmëria e aplikimit të sistemeve inteligjente, si dhe Autostrada e Paqes, ku Krasniqi ka bërë të ditur se do të prezantohen enkas në këtë konferencë si një mundësi tjetër për lidhjen me shtetin fqinj verior.

Po ashtu, Krasniqi ka thënë se duhet të jenë të vëmendshëm që krahas ndërtimit të rrjetit rrugor rajonal të përqendrohen edhe në ndërtimin e një rrjeti rrugor kombëtar, sepse sipas tij integrimi kombëtar është forcë dhe garantues i qëndrueshmërisë në rrugën drejt integrimit evropian.

Në anën tjetër, nga Këshilli i Sigurisë së Trafikut Rrugor në Ministrinë e Infrastrukturës, Fejzullah Mustafa, ka thënë se çdo ditë në botë vdesin rreth 1.3 milionë njerëz dhe lëndohen rreth 50 milionë njerëz në trafik. Ai ka treguar se sipas një analize që e kanë bërë në aksidentet në Kosovë, një numër i madh i viktimave janë të rinjtë.

“Viti që është dominant në humbjen e jetës janë të rinjtë, mosha +19 vite deri në moshën 25, duke u bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës. Në vitin 2018 kemi një element i cili është jashtëzakonisht shqetësuese, mendoj që duhet të fokusohemi pak më tepër sepse është rritja jashtëzakonisht e madhe jo e vdekjes së pasagjerëve në automjet, jo e shoferëve, apo pjesëmarrësve të tjerë në trafik që nënkupton persona të cilët gjenden në automjet kemi vdekje më të mëdha”, ka thënë ai.

Në kuadër të kësaj konference do të organizohet edhe Festivali i parë ndërkombëtar i filmit të shkurtër artistik “Siguria e jetës”, që sipas organizatorëve synon të sjellë metoda të reja dhe më praktike për mënyrën e të menduarit kritik tek brezat e rinj përmes edukimit dhe filmit.

Konferenca e 6-të Ndërkombëtare “Inspektimi, Auditimi dhe Rëndësia e Sistemeve Inteligjente në Transport”, është organizuar nga Kolegji “Tempulli”, AMRKS, Instituti i Sigurisë Rrugore dhe Hulumtimeve në Transport, Forumi i Kosovës për Siguri në Rrugë me mbështetjen nga Ministria e Infrastrukturës.

Back to top button