Të shtunën seanca për buxhetin

Në rend dite  do të jenë edhe Ligji për Pagat dhe Projekt Statuti i Trepçës

Kryesia vendosi që të shtunën, më 2 shkurt, të ketë seancë të re të Kuvendit.

Seanca e Kuvendit e caktuar më 2 shkurt do të mbahet për buxhetin, duke filluar nga ora 10:00.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka njoftuar se në këtë seancë do të diskutohen nëntë pika në rendin e ditës, ndërkaq ka thënë se do të diskutohet edhe Ligji për paga, me qëllim të funksionimit të sektorëve publikë në Republikën e Kosovës.

Deputeti Armend Zemaj nga LDK ka thënë se e kanë kundërshtuar seancën sepse sipas tyre, ky ligj është në kundërshtim me frymën kushtetuese. “Ky koalicion qeverisës është duke e dëmtuar kushtuetshmërinë dhe ligjshmërinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Kurse, Dardan Sejdiu nga PSD ka njoftuar se në rend dite ndër të tjerash do të jenë edhe Ligji për Pagat dhe Projekt Statuti i Trepçës. I pyetur se kur do të shkarkohet ministri Rikalo, Sejdiu ka thënë “Unë po besoj që e shtuna nuk është larg”.

Ndryshe, projektligji për buxhetin e këtij viti që parashihet të jetë 2.3 miliardë euro është votuar në lexim të parë nga deputetët e Kuvendit në fund të vitit 2018.

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se nëse nuk kalon buxheti në seancën e nesërme, atëherë në fund të muajit shkurt nuk mund të bëhet asnjë pagesë, përveç borxheve./21Media

Back to top button