“Të zotohemi për angazhimin e përbashkët në zgjedhjen e Presidentit”

Nagavci: E vlerësoj takimin e Kryesisë së LDK-së dhe e shoh si hap përpara në arritjen e marrëveshjes

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka komentuar deklaratën e Lidhjes Demokratike të Kosovës pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie.

“Numërimi prapa i ditëve për votimin e Qeverisë ka filluar nga sot. E vlerësoj takimin e Kryesisë së LDK-së dhe e shoh si hap përpara në arritjen e marrëveshjes. Pajtohem plotësisht me deklaratën e zt. Mustafa “Të përkushtuar që të punojmë për një marrëveshje e cila respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar. Marrëveshja duhet të vë në pah një qeveri të balancuar dhe me përgjegjësi të balancuara mes dy palëve në harmoni me atë që qytetarët na kanë dhënë besimin e tyre…” Në linjë të njejtë është edhe LV! andaj dhe në propozimet tona kemi ofruar që të ndajmë në mënyrë të barabartë marrjen e përgjegjësive në qeverisje, ose madje më shumë se balancim të qeverisjes duke i besuar LDK-së udhëheqjen e 6 ministrive përderisa ne do të qeverisim me 5 ministri. Sa i përket ndarjes së pushteteve, këtë e përcakton Kushtetuta në nenin 4 dhe LV! është e prirur dhe zotohet për respektimin e saj të plotë. Sipas Kushtetutës, tashmë kemi pushtetin legjislativ të dalur nga votimi i drejtpërdrejtë dhe Kryetarin e Kuvendit që është votuar nga 75 deputet”, ka thënë Nagavci.

Tutje, Nagavci ka thënë se duhet të punojnë që brenda afatit kushtetues të votojnë Qeverinë dhe të ndajnë përgjegjësitë ekzekutive.

“Duhet të zotohemi për angazhimin e përbashkët në zgjedhjen e Presidentit Konform Kushtetutës. Duhet të mobilizohemi për profesionalizëm të plotë e krijim të kushteve për çkapjen e pushtetit gjyqësor dhe të institucioneve që mbrojnë rendin kushtetues, integritetit territorial, rendit dhe qetësisë publike. Besoj se një marrëveshje e tillë plotëson pritshmëritë dhe respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare. Pasi kemi një shprehje deklarative të vullnetit të përfaqësuesve të LDK-së , pres që kjo të realizohet edhe praktikisht. Shumë mirë që kjo marrëveshje të arrihet deri në fund të javës. Unë po e shof si vullnet e gadishmëri, uroj të mos jetë kushtëzim apo ultimatum (si po e interpretojnë disa media)”, ka shkrua në facebook nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket ofertës së fundit për koalicion me Vetëvendosjen edhe pse kjo ofertë ishte refuzuar nga Albin Kurti. Kryetari i LDK-së, Isa Mustaf, tha se deri në fund të kësaj jave duhet të qartësohet nëse do të arrihet marrëveshja me Vetëvendosje./21Media

Back to top button