Telekomi dhe Dardafon.net pajtohen të mos ndërmarrin veprime të njëanshme

“ARKEP ka kërkuar që deri në përmbyllje të procesit palët e involvuara në këtë proces të mos ndërmarrin veprime të njëanshme që dëmtojnë konsumatorin”

Bordi i ARKEP ka pritur sot në takime të ndara përfaqësuesit e Telekomit të Kosovës dhe ata të Dardafon.net, për të kërkuar sqarimet e nevojshme në lidhje me procesin e tranzicionit pas shkëputjes së kontratës.

Në një komunikatë për media thuhet se Bordi i ARKEP është njoftuar nga këto ndërmarrje me veprimet e ndërmarra deri më tani, pas njoftimit për mos vazhdimin e raportit komercial nga Telekomi i Kosovës.

Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, si dhe me qëllim të zbatimit të plotë të Kornizës Rregullatore, ARKEP ka kërkuar që deri në përmbyllje të procesit palët e involvuara në këtë proces të mos ndërmarrin veprime të njëanshme që dëmtojnë konsumatorin, me të cilën kërkesë janë pajtuar të dy palët.

Po ashtu, ARKEP ka kërkuar nga operatori Dardafon.net, (Z-Mobile) që gjatë kësaj faze të mos vendos në treg SiM kartela të reja, të mos krijojë pako/produkte të reja, si dhe të mos hyjë në kontrata të reja me konsumatorët.

Bordi i ARKEP-it ka bërë të ditur se do të njoftojë opinion me kohë për çdo hap që do të ndërmarrë në lidhje me procesin, të cilin është duke e trajtuar me prioritet të lartë.

“Pas marrjes së informacioneve shtesë nga operatorët gjatë ditëve në vijim dhe analizimit të praktikave evropiane, ARKEP do të marrë vendime nëse janë të nevojshme në lidhje me këtë proces, sidomos me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë së shërbimit për konsumatorët”, thuhet në komunikatë.

Back to top button